Fotografi dhe ambientalisti i njohur brazilian, Sebastiao Salgado, i njohur për imazhet e tij të natyrës dhe njerëzve dhe të vlerësuara me çmime, vdiq në moshën 81-vjeçare, sipas euronews.com.
Instituti ”Terra”, i cili u themelua nga ai dhe gruaja e tij, konfirmoi sot informacionin, por nuk dha më shumë detaje mbi rrethanat e vdekjes së Salgados ose vendin ku ndodhi.
“Sebastiao ishte më shumë se një nga fotografët më të mirë të kohës sonë”, tha instituti ”Terra” në një deklaratë.
“Lentet e tij zbuluan botën dhe kontradiktat e saj”, shtoi ai.
Jeta dhe vepra e Salgados u portretizuan në filmin dokumentar të vitit 2014 “Kripa e Tokës”, nga Wim Wenders dhe djali i tij, Juliano Ribeiro Salgado.
Salgado jetoi në Paris për shumë vite dhe filloi t’i kushtonte plotësisht kohën e tij fotografisë në vitin 1973, vite pas diplomimit të tij në Ekonomi.
Stili i tij karakterizohet nga imazhe bardh e zi, tonalitet i pasur dhe skenarë të ngarkuar emocionalisht.
Komunitetet e varfra ishin ndër interesat e tij kryesore.
Ndër veprat e tij kryesore janë seria e fundit “Amazonia”, “Workers” që tregon punën manuale në të gjithë botën dhe “Exodus” që dokumenton njerëzit në tranzit, përfshirë refugjatët dhe banorët e lagjeve të varfra.
Salgado dhe gruaja e tij, Lelia Wanick Salgado, themeluan ”Amazonas Images”, një agjenci që merret ekskluzivisht me punën e tij.