Kryeministri Edi Rama është në pritje të një urimi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për rezultatin e 11 majit, por në vend të kësaj, nga ambasada amerikane në Tiranë ka mbërritur një tjetër mesazh, i sigluar nga Prokurorja e Përgjithshme e SHBA, Pam Bondi. Përmes emisarit të saj Stephen Fields, Prokurorja e Përgjithshme e SHBA i kujton qeverisë se duhet të luftojë “kartelet”, “krimin e organizuar ndërkombëtar” dhe “emigracionit të paligjshëm”.
Fields, shkruhet në njoftimin e ambasadës “përcolli prioritetet e Prokurorit të Përgjithshëm të ShBA për të eliminuar kartelet, krimin e organizuar ndërkombëtar dhe emigracionin e paligjshëm”. Me pak fjalë, jo licensa të hoteleve luksoze për trafikantët e Durrësit.
Në njoftimin zyrtar të ambasadës amerikane në rrjetet sociale thuhet se Fields takoi të gjithë krerët e drejtësisë dhe policisë shqiptare, dorëzoi pajisje për burgjet, dha certifikata për Akademinë e Sigurisë. Në mesazh nuk përmendet asnjëherë fjala “zgjedhje” dhe as “fitore”, për të cilën, deri tani është ruajtur një heshtje e pastër diplomatike.
Në 2021 Rama u përgëzua nga SHBA para se të shpallej rezultati zyrtar i zgjedhjeve të 25 Prillit, por kësaj radhe i mbetet të ngushëllohet me miqësinë që ka me Jared Kushner, dhëndrin e Donald Trump, ndërsa shpresat për një përmirësim të imazhit të tij, janë në lobimin që kanë marrë përsipër disa biznesmenë shqiptarë në SHBA. Gjatë fushatës, disa prej bashkëpuntorëve të fushatës së Trump, si LaCivita dhe Manafort u kontraktuan nga Partia Demokratike dhe mbështetën në zgjedhje Sali Berishën, i cili financoi edhe një kontratë lobimi me kompaninë ku bën pjesë vajza e Susie Willies, shefja e kabinetit të Donald Trump.
Është kjo panorama, kur Ramës ende po i mungon urimi nga SHBA, ndërkohë që i vjen një listë detyrash, e ngjashme me ato që flisnin kundërshtarët politike gjatë fushatës dhe që thotë me fjalë të tjera “Fillo me kartelet. Pastro shtëpinë!”