Shqipëria renditet ndër vendet me cilësinë më të ulët të arsimit të lartë në Europë dhe Azinë Qendrore.
Alarmi vjen nga Banka Botërore, e cila thekson se vendi ynë, ashtu si edhe rajoni ku bën pjesë, përballet me sfida të thella në sistemin universitar.
Sipas raportit, mungesa e financimit, kurrikulat e vjetruara dhe ndikimi i politikës dhe interesave private janë ndër arsyet kryesore që po cënojnë cilësinë akademike në universitetet shqiptare.
Universitetet pa investime moderne dhe pa lidhje me tregun e punës po përgatisin të rinj të papërgatitur për realitetin ekonomik. Po ashtu, infrastruktura e dobët dhe mungesa e kërkimit shkencor po e thellojnë më tej hendekun me vendet e zhvilluara.
Në raport ngrihet shqetësimi për rënien e përparimit ndërbrezor, duke theksuar se fëmijët sot kanë më pak gjasa të jenë më të arsimuar se prindërit e tyre, një sinjal i qartë regresi.