Tani nuk mund të themi, që nuk e meritonim këtë kulmim krize. Nëse nuk do ta kishim merituar, atëherë nuk do të kishim rënë në këtë katastrofë politike.
Lista gjysmë e mbyllur e kandidatëve për deputetë, miratuar me mirëkuptimin e dy partive të mëdha, është një plagë që do të mbetet gjatë në trupin e demokracisë shqiptare.
Sali Berisha dhe Edi Rama fshinë nga pamja me këtë formulë diabolike çdo zë kundër tyre brenda dy partive respektive, çdo person i cili potencialisht mund t’i zëvendësonte ata në krye të partive, si dhe çdo të lëkundur në besnikërinë ndaj tyre.
Mbushja e Kuvendit me besnikë dhe anonimë shënoi zgjedhjet e vazhdimësisë për kryetarët Berisha e Rama.
Ata falsifikuan datën e skadencës mbi ambalazhet e besnikëve të tyre të verbër dhe u dhanë një shuplakë asgjësuese kujtdo, që dyshonte sadopak në bashkëqeverisjen e tyre.
Lista gjysmë e mbyllur është hakmarrja cinike e Berishës dhe Ramës ndaj çdo personi në parti, që vë në dyshim kontrollin absolut të tyre në krye të dy partive.
Nga listat as të mbyllura krejt as të hapura krejt Berisha fitoi njëlloj sa Rama, teksa të dyshimtët po hanë kokat e njëri tjetrit në listat e hapura, pasi kanë mbushur thesin e votave për besnikët e kryetarëve në listat e mbyllura.
Berisha rimori nga Rama mandatin e katërt në krye të opozitës, duke shtypur çdo kundërshtar apo fraksion brenda partisë së vet. Ndërsa Rama rimori nga Berisha mandatin e katërt në qeverisje, duke larguar nga vetja edhe ata pak ndjekës të mençur që i kishin mbetur.
Në lidhjen e shkurtër midis tyre nuk mund të hyjë më askush. Gracka e përsosur zuri edhe partitë e reja ende pa lindur mirë.
Ata penguan rreptësisht kryerjen e reformës elektorale që kërkoi vazhdimisht OSBE-ja, refuzuan me forcë listat e hapura që kërkuan partitë e reja, madje detyruan deputetët e tyre që të miratonin ndryshimet ligjore për listat pjesërisht të mbyllura.
Shumë nga deputetët e dy partive që mbetën jashtë listave fare, jashtë listave të mbyllura dhe jashtë listave të hapura dhe tani krejt jashtë Kuvendit, u shtynë nga kryetarët që të votonin me duart e veta vetëvrasjen politike, me shpresën që fatkeqësia nuk do t’u trokiste në derën e tyre.
Tani dy kryetarët e paprekshëm u rrethuan sërish prej oborrtarëve të tyre besnikë nga listat e mbyllura dhe po bëhen gati që të nisin nga fillimi seancat e sforcuara plenare në Kuvend.
As njëri nuk e bëri Shqipërinë madhështore, as tjetri nuk e bëri Shqipërinë europiane me këto zgjedhje të kritikuara nga ndërkombëtarët, kur madje keqpërdorën votat e emigrantëve shqiptarë nëpër botë me të njëjtën siguri që përbuzën votat e rezidentëve brenda vendit, pa iu dhënë mundësinë që të zgjedhin vërtet përfaqësuesit e tyre në Kuvend.
Paradoskalisht numëruesit ende numërojnë votat edhe sot një javë pas zgjedhjeve, në kërkim të një trilli absurd, kur nuk ka asgjë për t’u zbuluar nga loja me letra të hapura mes Berishës dhe Ramës.
Ndërsa qytetarëve si ne mund t’iu kujtojmë me këtë rast të vërtetën e një dijetari të antikitetit, që thoshte: “Bëhuni të durueshëm, sepse koha nuk është e durueshme”.