PD i duhet një doktor i ri – nga Desada Metaj

spot_img

Ilir Alimehmeti është padyshim fituesi moral i zgjedhjeve të 11 majit. Plot 16,595 vota në Tiranë nuk arritën ta çojnë mjekun e njohur në parlament, por na treguan të gjithëve se vlerat e vërteta njerëzore dhe profesionale mund të prodhojnë besim dhe votë te njerëzit e lirë.

Ilir Alimehmeti nuk bëri asnjë fushatë të zhurmshme. Për të nuk financoi askush nga oligarkët brenda apo jashtë PD-së për t’i blerë kohë televizive, për t’i prodhuar spote apo për t’i përgatitur kronika të gjata e të stisura. Mjeku që, me qetësinë dhe profesionalizmin e tij, qetësoi mendjet dhe zemrat e mijëra shqiptarëve gjatë pandemisë, i mundi ata që shpenzuan miliona për fushatë me memorien që qytetarët kanë ende në mendje për të.

Ilir Alimehmeti nuk u paketua nga askush brenda apo jashtë partisë si i përsekutuari i politikës së vjetër apo i lojërave meskine brenda PD-së. Edhe pse shumë mund të mendojnë me të drejtë se atij iu bë një padrejtësi kur u përfshi në listat e hapura, ai nuk u qarravit për padrejtësi, por e mori sfidën seriozisht duke takuar e bindur qytetarët pa pasur kamerat pas vetes në çdo moment.

Doktor Alimehmeti nuk është as politikani me eksperiencë dhe lidhje politike që t’i jepnin një dorë gjatë fushatës. Madje, ai nuk kishte as “rojtare” votash apo ekipe të posaçme që ta ndihmonin në fund të procesit. Ilir Alimehmeti, në fakt, as u kompleksua ndonjëherë se përfaqësonte PD-në e Sali Berishës. Por nga ana tjetër, kurrë nuk agresoi apo injoroi ata që mendojnë ndryshe nga ai. Praktikisht, ai drejtoi pa shumë zhurmë drejt vetes votën e demokratëve të mërzitur me Sali Berishën dhe lidershipin e PD-së.

Edhe pse për herë të dytë në një garë të pabarabartë ai po penalizohet nga PD-ja, Ilir Alimehmeti po tregohet i matur dhe i pamllef ndaj atyre që, në fakt, nuk duhet të ishin as në listë të hapur e jo më në vendin e tij.

Nuk e njoh personalisht Ilir Alimehmetin, por modestia e tij në çdo dalje publike, profesionalizmi apo gjuha e zgjedhur e bën atë ndryshe nga thuajse çdo figurë e PD-së sot. Në zgripin ku ndodhet, PD-ja ka nevojë për një njeri si mjeku që sfidoi çdo figurë politike brenda partisë. Mësoni nga doktori i ri dhe jo ai i vjetri në PD. Jepjani atij drejtimin e partisë se ndoshta di ta bëjë më mirë se ju, e veç e keni zhytur keq e më keq PD-në. Eksperienca politike që ju keni është aseti më i dëmshëm për të vijuar të keni në dorë frenat e një partie që po rrënohet çdo ditë e më shumë. Ilir Alimehmeti ndoshta nuk do të jetë kurrë lideri i fortë i PD-së. Por pa dyshim do të dijë të orientojë një parti të rrënuar drejt ringritjes dhe hapjes pa shpallur çdo muaj armiq të brendshëm e të jashtëm. Një profesionist i mirë, një qytetar i vërtetë dhe i pazhytur në politikën e ditës është aseti i vetëm që PD-ja ka sot.

Ndoshta në atë parti askush nuk do t’i marrë në konsideratë 16,595 votat bio të doktor Alimehmetit. Dhe kjo nuk do të ishte hera e parë e mosvlerësimit të atyre që i duhen partisë. Ama do të ishte humbja e shansit të fundit që PD-ja të rimarrë oksigjenin që i duhet për t’u rikthyer në jetë nga një doktor tjetër.

Latest articles

Related articles