Lindjet shënojnë ulje, Dr. Ledja Toro: 4 në 10 burra shqiptarë janë shterpë

spot_img

Viti 2025 ka nisur me një lajm aspak të mirë për sa i përket lindshmërisë në vendin tonë.

Sipas raportit të INSTAT, në rang vendi për herë të parë numri i vdekjeve ishte më i lartë se numri i lindjeve, një tregues se popullata po plaket me shpejtësi të madhe. Në tremujorin e parë të vitit 2025, lindjet shënuan rënie me 14,1%, ndërsa vdekjet me 5,8% krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2024.

Në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH 1, sociologia Dorela Koldashi tha se emigracioni, por edhe ulja e numrit lindjeve kanë një ndikim të drejtpërdrejtë social-ekonomik.

“Duke pasur parasysh pasigurinë ekonomike, të rinjtë detyrohen të përshtaten dhe të emigrojnë. Përshtatja me vendin pritës më tej do të marrë kohë, që ndikon në fund te riprodhimi,” tha znj. Koldashi.

Një situatë kritike paraqet edhe indeksi i fertilitetit, sipas gjinekologes Ledja Toro. Shoqëria shqiptare vitet e fundit krahasohet me shoqëritë e tjera europiane që po e vuajnë këtë problem, si Italia, Spanja dhe Malta, me një indeks në vlerën rreth 1,25.

Dr. Toro parashtroi edhe disa problematika që janë veçanti për shoqërinë shqiptare, si sëmundjet seksualisht të transmetueshme dhe norma e lartë e infertilitetit te meshkujt.

“Një problem shumë i rëndësishëm që vihet re veçanërisht në shoqërinë shqiptare vitet e fundit është tendenca për të pasur infeksione seksualisht të transmetueshme kritike, domethënë rritja e SST-ve të patrajtuara në Shqipëri po bëhen problem. Pra, po rikthehen sëmundje nga e kaluara, siç janë sifilizi, që afektojnë traktin gjenital riprodhues, qoftë mashkullor, qoftë femëror.

Problem tjetër kritik në shoqërinë shqiptare është infertiliteti mashkullor. 4 në 10 burra te ne janë infertilë. Po të bësh spermiogramat e meshkujve shqiptarë ka probleme të rëndësishme të cilësisë, të lëvizshmërisë së spermatozoideve, që lidhet me faktorë konkretë, siç është obeziteti, përdorimi i drogave apo stimulantëve të tjerë, përdorimit i duhanit dhe alkoolit, jeta sedentare dhe stresi, ankthi, depresioni, forma të ndryshme të manifestimit të instabilitetit emocional dhe psikologjik,” shpjegoi Dr. Toro.

Faktori gjinekologjik është global, por në shoqërinë shqiptare ai që vihet re më shumë është faktori moshë, i cili lidhet me çështjet ekonomike, me dëshirën për karrierë, por edhe për mungesën e politikave mbështetëse sociale, çka i detyron gratë të lindin më vonë, sipas Dr. Toro.

“Një moshë e shtyrë për lindjen e parë pakëson mundësinë për të pasur lindje të tjera. Një moshë e shtyrë ka edhe çështjen e konceptimit në kohë, duke çuar në infertilitet dhe probleme që prekin jo vetëm gruan, e cila nga pikëpamja biologjike është e projektuar për të konceptuar deri në njëfarë moshe, por edhe faktorin mashkullor, i cili aftësinë riprodhuese mund ta ketë gjatë gjithë jetës, por cilësinë e aftësisë riprodhuese e impakton shumë mosha. Sipas statistikave të INSTAT-it, indeksi i fertilitetit ose mosha që individët konceptojnë ishte 29,5 në vitin 2023, ndërkohë që mosha mesatare është rritur në 39 vjeç. Sigurisht që kjo sjell plakjen dhe proceset fiziologjike që vijnë prej saj,” tha gjinekologia në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”.

Latest articles

Related articles