Kush ikin e kush vjen – Fituesit, surprizat dhe përmbyesjet e votës preferenciale

spot_img

Procesi zgjedhor i 11 majit ka përfunduar dhe tashmë janë përcaktuar fituesit: Partia Socialiste me 83 mandate.

Ndërkohë që ende po numërohet vota preferenciale e diasporës, panorama e re e Kuvendit të Shqipërisë ka filluar të qartësohet.

Në listat e hapura të Partisë Socialiste, Blendi Gonxhja, ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, rezulton kandidati më i votuar në rang kombëtar, me mbi 21 mijë vota preferenciale.

Pas tij renditet deputeti Erion Braçe me mbi 20 mijë vota, ndërsa të tjerë emra të spikatur nga radhët e Partisë Socialiste janë Arkend Balla në Durrës dhe Sara Mila në Elbasan, të dy me mbi 18 mijë vota, duke hyrë në Kuvend nga pozicione jo të sigurta.

PD me 50 mandate – Tabaku, më e votuara ndër gratë

Nga radhët e koalicionit opozitar Partia Demokratike–Aleanca për Shqipërinë Madhështore, Jorida Tabaku është e treta më e votuara në rang vendi me mbi 19 mijë vota. Ajo është njëherësh edhe kandidatja grua më e votuar në të gjithë vendin, ndjekur nga Ilir Alimehmeti me 16,595 vota. Ndonëse i dyti më i votuari brenda PD-së, ai mbeti jashtë Kuvendit.

Ilir Meta renditet i treti në radhët e koalicionit PD–Shqipëria Madhështore dhe nuk mund të hyjë në Kuvendin e Shqipërisë për shkak të kuotës gjinore. As dorëheqja e dy kandidatëve të tjerë të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi dhe Erisa Xhixho, nuk do ta ndryshonte këtë rezultat.

Ndërkohë, nga Partia e Lirisë, z. Blushi dhe znj. Xhixho kanë siguruar nga një mandat, duke hyrë në Kuvend nga lista e sigurt.

Deputetë të rinj dhe rikthime surprizë në PD

Në radhët e PD-së, një nga emrat e rinj që i bashkohet Kuvendit është Besart Xhaferri, i cili u zgjodh deputet në Tiranë për herë të parë.

Disa figura të rëndësishme të PS nuk arritën të fitojnë mjaftueshëm vota nga lista e hapur. Midis tyre:

  • Pandeli Majko
  • Mimi Kodheli
  • Arben Pëllumbi
  • Klotilda Bushka
  • Ermonela Felaj
  • Plarent Ndreca
  • Toni Gogu
  • Etjen Xhafaj
  • Etilda Gjonaj

Ndërsa presin me ankth voten preferenciale të diasporës Xhemal Qefalia, i cili konkurron kokë më kokë më Orlando Rakipin, dhe Olta Xhaçka me Blerina Gjylametin.

Në Shkodër, një bastion tradicional i djathtës, Edona Bilali (PS) nuk arriti ta kalojë pragun, duke mbetur jashtë Kuvendit.

Sa i takon votave preferenciale, 65 kandidatë nga parti të ndryshme nuk morën asnjë votë, shumica nga partitë e vogla.

Vota preferenciale këtë vit pati fuqi të madhe për të përmbysur listat, siç ndodhi në Kukës me kandidatin e Partisë Demokratike, Isuf Çela, që arriti të mundë Shkëlqim Shehun.

Procesi i numërimit të votave nga diaspora për kandidatët është ende në vijim dhe pritet të ndikojë vetëm në renditjen preferenciale të kandidatëve, jo në shpërndarjen e mandateve.

Latest articles

Related articles