Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, në një prononcim për mediat para se të futej në mbledhjen e thirrur nga Sali Berisha në selinë blu, u shpreh se Edi Rama ka vjedhur zgjedhjet dhe faktet janë publike.
Sakaq, duke mos ditur si të justifikojë humbjen e thellë të 11 Majit, Flamur Noka u shpreh se një fisi demokrat në Selenicë, PS i ka dhënë 10 mijë euro që mos të dalin të votojnë, por të qëndrojnë në shtëpi.
“Masakra ka vetëm një emër, masakër, para, banda, krim i organizuar, drogë, patronazhistë, administrata funksionon në shërbim të blerjes dhe patronazhimit dhe kërcënimit të votës.
Qeverisja zero dhe këta shtojnë votat. Përveç atyre që kanë blerë kartat këta nuk kanë dalë në zgjedhje.
Kanë blerë mijëra karta për të ndenjur qytetarët në shtëpi. Më tha një miku im, kryetar i një dege në Selenicë, po e pyesja për një fshat që i njoh që janë të djaththë ekstremë.
I thashë si shpjegohet? Më tha i thirra në telefon dhe nuk mu përgjigjën. Të nesërmen takova një nga anëtarët e fisit dhe tha më erdhën më dhanë 10 mijë euro, nuk më kërkuan votën, më thanë rri në shtëpi.
Ku i kam parë unë ndonjëherë 10 mijë euro. Këto për një fis. O ka prova këtë radhë që i keni parë vetë, ose s’ka për të pas ndonjëherë.”-tha Noka.