nga Edmond Arizaj
Nuk ka asnjë çudi në rezultatet e 11 Majit. Ata që mendonin ndryshe, ishin dritëshkurtër. Ata që shpresonin ndryshe, ishin të pashpresë. Ata që dëshironin diçka paksa ndryshe (qeverisje jo absolute) si unë, e ndjenin se ishte utopi. Demokracia pa mekanizma që kontrollojnë dhe frenojnë, madje edhe gjykojnë e ndëshkojnë, është thjesht zbukurim që kushton miliona për kuti e fletë votimi.
Opozitë më e dobët se pushteti
Të shkosh përballë “rregjimit” duke u zvarritur prej tetë vitesh, duke lënë copa rrugësh, me të njëjtën fytyrë të lodhur, të drobitur, të pabojë, jo vetëm nuk sjell as frymë e as frymëzim, por përkundrazi, dëshpërim, pasivitet, indiferencë dhe më keq, largim drejt alternativave që japin mundësi. Opozita ishte e përçarë, pa kauzë të qartë, pa vizion bindës. Opozita nuk diti, e as nuk mundi, e ndoshta me këtë ofertë njerëzish nuk do të mundet ende, të sjellë dhe të ngrejë Shpresë. Reagimi dhe revolta, nuk fitojnë të vetme pa një strukturë alternative të qartë, të besueshme dhe bindëse.
Njerëzit të lodhur duan garanci
Nuk e duan ndryshimin, thjesht si rotacion. Imagjinoni edhe nja dy fshatra, ku vendimet e qeverisë i preknin direkt dhe ishin prej kohësh në protesta, votuan masivisht PS. Shumica jonë, sidomos ata jashtë Tiranës, madje jashtë vijës së verdhë, nuk votojnë për të ndryshuar, për ide, për demokraci e këto fjalët e mëdha, por që të mos humbasin ndihmën ekonomike, rrogën, vendin e punës, mikun që kanë gjetur e u zgjidh ndonjë punë. Kjo është një pjesë e mirë e popullsisë, e “depolitizuar ideologjikisht dhe intelektualisht”, e cila është preja e atyre që quhen patronazhistë. Pjesa tjetër e madhe e popullsisë, e lodhur dhe pa besim tek askush, u lë fushë të lirë votuesve të komanduar (zgjedhjet nuk fitohen në kuti, por para se të votohet). Dhe çfarë del? Votojnë 40 përqind, nga këta 70 përqind janë votat që i kemi të numëruara përpara ditës së votimit. Pra, edhe mund të mos jetë shumicë, por ama merr shumicën e atyre që votojnë.
Pushteti i PS është i shkrirë me shtetin
Sistemi zgjedhor dhe informativ është në kontroll total nga pushteti. Ku me ndihmë edhe të opozitës që për përfitime ditore, harron të ardhmen. PS ecën me laps në dorë, si në Kuç. Kontroll total mbi administratën publike dhe bashkitë, me ndihmën e vendimeve idiote të opozitës atëherë. Kontroll absolut mbi burimet ekonomike, përfshirë financuesit e opozitës. Kontroll i gjithanshëm i policisë, duke i lejuar të “bëjnë punëra edhe me opozitën”. Kontroll mbi komisionet zgjedhore, pse jo edhe mbi anëtarë të opozitës në plot zona jashtë Tiranës. Media dhe zëri publik është diku i frikësuar, diku i kapur, diku i përthyer, diku i kthyer, paksa fare i kundërt, duke sjell një opinion publik të deformuar.
Pra ajo që rëndom quhet vota e lirë, nuk na del dhe kaq e lirë, por është e lidhur pazgjidhshmërisht me punën, ndihmën, përfitimet, të nesërmen a fundin e muajit. Njerëzit nuk votojnë për bindje, por për mbijetesë.
Ndëshkimi që mungon e kthen votën në produkt me etiketë “Ky-kjo është i PS”
Organet e drejtësisë mund të japin “drejtësi”…pas një viti. Kujt i prishet puna! Pushteti le të mos bëhemi hipokritë, blen kohë, blen vota, blen të ardhme, dhe mund të të rregullojë jetesën. Dakort vota e varfër blihet më lehtë, ku me 100 euro, megjithëse ka rënë euro dhe po e bëjmë 200, një vend pune, shlyerje borxhesh, por edhe vende “pëllumbash” që për gjashtë muaj, sidomos ato larg Tiranës ku nuk të kap rrezja e mediave të bezdisura, të bën zengjin, nga një i panjohur. Makineria elektorale e PS me sistemin e patronazhimit në qendër e ka kthyer votën në produkt me etiketë “Ky-kjo është e PS”. Lejohet pothuaj gjithçka, siç edhe e kemi parë ndër vite, sepse mungon ndëshkimi.
Nuk duhet të fitojnë mbi PS, por të mundin sistemin
Rezultati i 11 Majit dihej. Me aq sa mundesha, unë e kam paralajmëruar që në 2017 se si do venin zgjedhjet njëra pas tjetrës nëse nuk reformohet PD. Nuk e di çfarë do bëjë opozita, por ata që u kënaqën me humbjen dhe shkatërrimin e Berishës si dhe ata që i qëndruan besnikë, janë po njësoj fajtorë për situatën e demokracisë në Shqipëri. Kanë vetëm dy vjet kohë, ose partitë e vogla duhet të bëhen të mëdha shumë shpejt. Nuk duhet të fitojnë thjesht kundër një partie tjetër, me program, me premtime, me tik-tok e FB.
Duhet të mundin një sistem.