Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan lidhur me vendimin për shpërbërjen dhe çarmatosjen e organizatës terroriste PKK, tha se “nëse ky vendim zbatohet me sinqeritet dhe në një mënyrë që lehtëson edhe shqetësimet e tjera, do të jetë një vendim shumë i dobishëm për të ardhmen tonë dhe për të gjithë”.
Fidan foli në një konferencë të përbashkët për media me ministrin e Jashtëm të Jordanisë, Ayman Safadi dhe ministrin e Jashtëm të Sirisë, Asaad Hassan al-Shaibani pas takimit të ministrave të Jashtëm Turqi-Jordani-Siri.
Në pyetjen lidhur me vendimin e organizatës terroriste PKK për t’u shpërbërë dhe çarmatosur, ministri Fidan tha: “Mendoj se vendimi i marrë nga PKK është vendim historik dhe i rëndësishëm. E shoh këtë vendim si shumë të rëndësishëm, veçanërisht në aspektin për mbisundimin e paqes dhe stabilitetit të përhershëm në rajonin tonë. Sigurisht, ka hapa praktikë që duhen ndërmarrë pas marrjes së këtij vendimi. Edhe ato ne do t’i ndjekim nga afër”.
“Dëshira jonë më e madhe është që zona e demokracisë, lirisë, mirëqenies dhe sigurisë që kemi zhvilluar në Turqi gjatë 20 viteve të fundit të zgjerohet më tej, të ndikojë pozitivisht në shtetet dhe popujt e tjerë në rajonin tonë duke u përhapur nga Turqia. Nëse ky vendim zbatohet sinqerisht dhe zbatohet në një mënyrë që eliminon edhe shqetësimet e tjera, do të jetë vendim shumë i dobishëm për të ardhmen tonë, për qytetarët tanë dhe për të gjithë”, tha Fidan duke shtuar:
“Z. (Devlet) Bahçeli bëri thirrje historike për këtë çështje dhe presidenti ynë tregoi vullnet shumë të fortë. Nga organizata aktualisht ka përgjigje pozitive për këtë çështje. Punime ka paraqitur edhe Partia DEM. Ka kolegë që kanë kontribuar. Sigurisht në këtë përgjegjësi historike, ne si bijtë e këtij vendi, po tregojmë se mund t’i zgjidhim problemet tona me mençurinë tonë, logjikën tonë të shëndoshë, inteligjencën tonë dhe vullnetin tonë”.
Në vazhdim ministri Fidan tha se “Ky është një hap jashtëzakonisht i rëndësishëm për kombin tim, për rajonin tonë dhe për qytetërimin të cilit i përkasim. Shpresojmë, siç thashë, se kjo do të ndodhë, ka shumë për të bërë në praktikë. Ka shumë tema të detajuara, por nuk dua të them asgjë më shumë sot përveç kësaj atmosfere të përgjithshme pozitive”.
Duke kujtuar se mbledhja e kabinetit do të mbahet sot, Fidan potencoi se kjo çështje do të shtrohet në rend të ditës në mbledhje dhe presidenti Erdoğan do të ndajë me popullin turk vlerësimin e tij përfundimtar për këtë çështje.