E djathta ka edhe një betejë qensh e hijenash përpara

spot_img

Dashnor Kokonozi


Perdja ra dhe të gjithë e kuptojnë se pas traumatizmave nëpër të cilat kaloi, e djathta nuk mund të priste më shumë.
Eshte koha për të bërë gjithçka që në Shqipëri të mos bëjë rrugë e kundërta e praktikës evropiane, pra të mos e shohim përjetësisht të majtën në pushtet dhe të djathtën përjetësisht në opozitë.
Rreziku është i madh.
E bindur se ka lindur për të drejtuar, e djathta nuk e duron veten në opozitë. Bojkotoi parlamentin për vite të tëra, pa e kuptuar se kështu sharronte degën ku ishte ulur. Ajo nuk dha prova se di të rritet në opozitë, se di të kultivojë në gjirin e saj një brezni politikanësh të rini. Që me siguri që ekzistojnë.
Ajo e ka humbur prej vitesh këtë shans. Duke menduar se ka lindur vetëm për të drejtuar, ka afruar veç spektakle sa groteskë aq edhe dramatikë për një masë të madhe njerëzish që prisnin më shumë.
Kështu ndodhi, që edhe të zhgënjyerit e qeverisjes aktuale, instinkti i vetëmbrojtjes se mos e pësojnë edhe më keq i shtyu të votojnë më shumë për një kaike prej teneqeje të ndryshkur se sa për një trap me qereste të kalbur ku, si në historinë e Trapit të Meduzës, lundërthyerit do të vazhdonin luftën e filluar në Shqup dhe do të shtynin në det njëri tjetrin.
Këtë nuk ta fal kush. Ndërsa ata mendojnë për karrierën, votuesi ka detyrimin të mendojë për jetën e tij e të familjes së tij.
Gjithsesi, nuk përfundon këtu. E djathta ka edhe një betejë qensh e hijenash përpara. I duhet të kryejë edhe një akt publik atëvrasjeje, në përfundim të së cilit duhet të dalë në krye një mashkull alfa i besueshëm.
Kjo duhet të ndodhë detyrimisht.
E fill mbas kësaj duhet të japë prova se ka dalë nga periudha e saj foshnjore e bojkotit vetëvrasës të parlamentit dhe nuk mendon më për veten por për ata që i dhanë votat.

Latest articles

Related articles