E djathta qytetare që ofron Lulzim Basha – ANALIZA

spot_img

Në një Shqipëri të mbërthyer prej më shumë se një dekade nga polarizimi, përçarja dhe keqpërdorimi i pushtetit, fushata që po zhvillon Lulzim Basha është një risi e ndjeshme në peizazhin politik. Për herë të parë pas shumë vitesh, e djathta shqiptare po ofron një alternativë me fytyrë qytetare, të matur dhe të ndërtuar mbi vlera të qëndrueshme si prona, drejtësia, liria dhe besimi në Zot.

Në thelb, kjo nuk është një fushatë për pushtet. Është një përpjekje për të rikthyer shtetin te qytetari dhe ligjin mbi interesin. Basha ka qenë i vetmi lider që ka guxuar të artikulojë me qartësi se ligji 7501 është një nga plagët më të mëdha të tranzicionit. Zgjidhja e çështjes së pronës është jo vetëm akt drejtësie, por edhe çelës për zhvillimin ekonomik, sidomos në bujqësi dhe turizëm, sektorë ku prona është themel.

Diferenca me të shkuarën politike është e qartë. Ekipi që përfaqëson Bashën është ndërtuar mbi filtrin e integritetit dhe përfaqëson një brez të ri politik, të papërlyer dhe të fokusuar në ndërtimin e një shteti funksional. Asnjë nga anëtarët e tij nuk është subjekt hetimi nga SPAK – një fakt që flet më shumë se çdo slogan.

Kjo është një fushatë pa fyerje, pa premtime të pambajtura dhe pa gjuhë urrejtjeje. Ironia e matur ndaj qeverisë, siç është rasti me “7×7=313” apo pyetja retorike “Ku të metën shokët?”, është më tepër reflektim sesa sulm. Ajo që po ofrohet nuk është një betejë për revansh, por një model i ri komunikimi dhe përfaqësimi.

Në një kohë kur shumë shqiptarë kanë humbur besimin tek politika, një ofertë e tillë nuk është thjesht e mirëpritur – është e domosdoshme. Sepse e djathta nuk mund të jetë vetëm një shumicë numerike; duhet të jetë një forcë morale, që frymëzon, orienton dhe ndërton.

Lulzim Basha nuk ka zgjedhur rrugën më të lehtë, por ai po ecën në atë që mund të jetë rruga më e drejtë – ajo e qytetarisë.

Latest articles

Related articles