Policia e Shkodrës ka dalë me një njoftim zyrtar në lidhje me aksionin e zhvilluar nga SPAK në këtë qark në lidhje me krimet zgjedhore.
– Advertisement –
Sipas Policisë, është organizuar operacioni i koduar “Premtimi”, ku është ekzekutuar vendimi i GJKKO-së për kontroll fizik ndaj 6 shtetasve në Shkodër dhe ndaj 9 automjeteve të tyre.

Sipas Policisë, pas kontrolleve të ushtruara janë sekuestruar, si prova materiale, 7 celularë, dokumente të ndryshme, një shumë parash (në euro dhe lekë), si dhe tollona karburanti.
Aksioni i SPAK në Shkodër u zhvillua në kuadër të goditjes se veprave penale që lidhen me manipulimin apo cenimin e integritetit të procesit zgjedhor.
Njoftimi i policisë
“Në bashkëpunim me SPAK, Policia e Shtetit po bën një punë intensive për parandalimin dhe goditjen e krimeve në fushën e zgjedhjeve ku është zhvilluar në qarkun Shkodër, faza e parë e operacionit të koduar “Premtimi”.
Në bashkëpunim me BKH-në, janë zbatuar vendimet për kontroll personal dhe të automjeteve ndaj 6 shtetasve, ndërsa pas këtyre kontrolleve janë sekuestruar celularë, para dhe lista me emra qytetarësh që iu gjetën këtyre shtetasve.
Në kuadër të kësaj faze është ekzekutuar vendimi i datës 07.05.2025, i Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për kontroll fizik ndaj 6 shtetasve dhe 9 automjeteve të tyre, konkretisht ndaj shtetasve:
F. V., B. L., D. D., S. Z., B. H. dhe Z. D., banues në Shkodër, Bushat dhe Vau i Dejës;
- automjetit në pronësi të shtetasit F. V.;
- automjetit në pronësi të shtetasit B. P.;
- automjetit në pronësi të shtetasit D. D.;
- automjetit në pronësi të OSHEE-së, në përdorim nga shtetasi S. Z.;
- 2 automjeteve në pronësi të shtetasit B. H.;
- 3 automjeteve në pronësi të shtetasit Z. D.
Nga kontrollet e kryera në kuadër të këtij operacioni, janë sekuestruar 7 celularë, dokumente të ndryshme, një shumë parash (në euro dhe lekë), si dhe tollona karburanti.
Hetimet në kuadër të këtij operacioni vijojnë”, thuhet në njoftimin e policisë.