Mirela Karabina, ish-ministre e Arsimit kandidon për deputete me Koalicionin Euroatlantik (nr.4) në qarkun e Elbasanit. Mirela ka qenë një nga aktivistet më të angazhuara në mbrojtjen e Teatrit Kombëtar. Mirela e kujton si tani atë ditë që mori guximin për të ardhur tek sheshi, ku një pankartë e madhe shkruan “Mbro Teatrin”.
“Atë periudhë kisha babain sëmurë dhe bëja vajtje-ardhje nga Elbasani në Tiranë çdo ditë. Çështjen e teatrit e ndiqja nga media dhe i admiroja artistët për kurajon…Unë erdha dhe e ndjeva menjëherë veten pjesë e këtij grupi. Njësoj siç erdha unë, na bashkohen çdo ditë qytetarë të rinj. E bukura e kësaj pjese është se duke ardhur çdo ditë ne kemi kuptuar se jemi të gjithë të ndryshëm, profesione të ndryshme, interesa të ndryshme në jetë, por na bashkon ajo që besojmë se teatri nuk është vetëm shtëpia e artistëve, por shtëpia e gjithë shqiptarëve”- thotë Mirela.
Karabina ka lindur më 29 Maj të vitit 1966, ndërsa ka mbaruar studimet për Gjuhë Letërsi. Ajo ka punuar si mësuese për vite me radhë, ndërsa aktualisht punon si pedagoge në Universitetin e Tiranës dhe disa universite të tjera.
“Unë jam një pedagoge një nënë, një bijë, një bashkëshorte dhe të gjitha ato marrin atë kohën e vetë. Jo të gjitha i bëj shumë mirë, por unë përpiqem t’i përmbush. Është fat që të rritesh në një famije të mirë, të kesh pozitivitet. Unë si e fushës së Arsimit, jam munduar që edhe në shkollat që kam qënë e kam trajtuar shumë, e kam shumë merak që fëmijët të përjetonin gjërat më të mira se është periudha më e mirë e jetës. Jam munduar edhe me dy vajzat e mija, e kam përcjellë këtë që të ndihem mirë, të sigurta, të qeta, ashtu sikurse edhe unë”, tha Karabina.
Mirela Karabina u ndal dhe tek detyra që ju dha në politikë, ajo e ministres së arsimit.
“Në fushën profesionale i kam kaluar të gjitha ato stadet. Kisha atë lidhjen e arsimit parauniveristar me fakultetin. Të jesh mësuese është shumë e vështirë sepse ti çdo vit përballesh me nxënës me karaktere të ndryshme. Kur m’u dha detyra për drejtim e Ministrisë së Arsimit, unë bashkë me stafin doja shumë të jepja maksimumin. Me aq pak kohë, fatkeqërsisht situata nuk ishte normale, politizimi është i tejskajshëm. Ishte një administratë e politizuar dhe e shihnin ministren si një anëtare të një partie tjetër”, shtoi ish-ministrja e arsimit.
Karabina ndau një mesazh me të rinjtë që duan të zgjedhin angazhimin politik.
“ Gjithsecili nga ne duhet të japi maksimumin aty ku është, sepse ky është kontributi që mund të japim për vendin tonë”, deklaroi Karabina.
Bashkëshorti i saj është ish- ambasadori shqiptar në Bullgari në vitet 2011-2014, si dhe në Pakistan në vitet 1995-1998.Ndërkohë, përgjatë viteve 2005-2011 ka qenë drejtoreshë në shkollën 9-vjeçare “P.Budi” në kryeqytet.