Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë ka pushuar padinë e ngritur ndaj Mirela Karabinës nga përfaqësuesja e FRESH/PS, Joleza Koka, për “prishje imazhi” në lidhje me qëndrimet e Karabinës gjatë protestave kundër shembjes së Teatrit Kombëtar. “Ky ishte sot vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë e cila pushoi çështjen e ngritur ndaj meje si politikane dhe qytetare në mbrojtje të kauzës së Teatrit Kombëtar”, shkruan Karabina, duke theksuar se fjala e lirë është e drejtë kushtetuese dhe nuk mund të paditet kur është në shërbim të njerëzve.
Karabina përmendi se përmendja e emrit të Koka-s si një nga 32 këshilltarët që firmosën për shembjen e Teatrit, ishte një reagim i drejtë ndaj një vendimi të padrejtë. “Gjykata vlerësoi se deklaratat e mia ishin pjesë e transparencës politike dhe reagimit qytetar… kishim një fakt, Teatri u shemb, ata e firmosën, ndaj reagimi ishte i drejtë.” Në fund, ajo shprehu mirënjohje për gjyqtaren Esmeralda Xhili dhe avokatin Besart Logu për mbrojtjen profesionale në këtë çështje që e cilëson si një fitore të së drejtës kundër pushtetit arrogant.