Ardhja e pranverës sjell një periudhë ndryshimi të humorit. Ajo që në gjuhën popullore njihet si ‘‘ndërrimi i gjakut”, shoqërohet shpesh me mosdëshirën për të kryer veprimtari të ndryshme në përditshmëri. Psikologët thonë se tek personat që nuk vuajnë nga probleme të shëndetit mendor, kjo gjendje zgjat pak kohë, por ndikon në performancën e secilit.
“Me fillimin e pranverës vihen re disa karakteristika a[po ndryshime në gjendjen e përgjithshme të individëve. Është një gjendje që te individët që nuk kanë probleme të tjera të shëndetit mendor, kalon me pak kohë përshtatje me situatën e re, pra me më shumë diell, ditën më të gjatë”, tha psikologia Elona Mustafaraj.
Qëndrimi në natyrë në ditët me diell është rekomandimit më i shpeshtë që japin specialistët.
“Unë do të rekomandoja më shumë dalje në natyrë për t’u përshtatur me ndryshimet dhe të mos heqim dorë nga aktivitet që na bëjnë të ndihemi mirë”, theksoi psikologia.
Pranvera është një stinë me shpërthime të shumta të problemeve psikologjike, ndaj personat që kanë shqetësime të shpeshta, duhet të tregojnë kujdes të shtuar të simptomave që zgjasin në kohë.