nga Enver Robelli
Bota perëndimore në të cilën jemi rritur dhe politizuar nuk ekziston më. Nuk ekziston më një bllok perëndimor që mbron pak a shumë vlerat e njëjta. Kjo u pa sërish sot, pasi agjencia e inteligjencës së brendshme në Gjermani vendosi ta shpall partinë Alternativa për Gjermaninë (AfD) si ekstremiste të djathtë në tërësinë e saj.
Kundër këtij vendimi ka dalë hapur ministri amerikan i punëve të jashtme Marco Rubio. Në një postim në X ai e akuzoi Gjermaninë për “tirani”. Sipas mendimit të Rubios, nuk është AfD ekstremiste, por politika e kufijve të hapur. Rubio i bëri thirrje Gjermanisë të ndërmarrë një ndryshim kursi.
Gjatë konferencës së sigurisë në München në shkurt, nënpresidenti amerikan J.D. Vance mbajti një fjalim të ashpër përmes të cilit, sipas ekspertëve, i shpalli “luftë ideologjike” Europës, duke e akuzuar – pa fakte – për kufizim të lirisë së shprehjes dhe luftim të opozitës. Kundër fjalimit të Vance protestoi ministri gjerman i mbrojtjes Boris Pistorius, i cili tha se është i papranueshëm krahasimi i Europës me regjimet autoritare.
Sa i përket Alternativës për Gjermaninë: kjo parti akuzohet nga mediat gjermane për afërsi me regjimin e Vladimir Putinit, për një kurs të ashpër kundër BE-së dhe NATO-s dhe për një gjuhë të papranueshme kundër njerëzve me origjinë të huaj. AfD e quan Kosovën “shtet të dështuar”, ka demonstruar afërsi me regjimin aktual në Beograd dhe kundërshton zgjerimin e BE-së.