Intelektualizmi emocional, mburoja elegante e mendjes

spot_img

Nga Sheila Rexho
Pasioni për psikiatrinë e psikologjinë ka qenë shoqëruesi i hershëm i reflektimeve të mia gjatë rritjes. Më ka shtyrë të lexoja një mori literaturash, por mes gjithë pirgjeve te informacionit, ka qenë një nocion, i cili më kishte shpëtuar përgjatë këtij rrugëtimi njohurish: “intelektualizimi”.

Një term që, nuk me kujtohej ta kisha hasur, por që fatmirësisht u përmend gjatë një bisedë të rastësishme me një akademik te fushës së psikologjisë, të cilin e çmoj jashtëzakonisht shumë për intelektin, pasionin dhe kontributin e tij në disiplinë.

Diskursi me te, më frymëzoi të kuptoja më qartë ndikimin që ky fenomen ka në jetën emocionale të individëve. E kam parë si një model të heshtur, relativisht të përsëritur: njerëz të zgjuar, të lexuar, që thuajse dinë “gjithçka teorikisht” rreth traumës, stilit të lidhjeve, vetëvëzhgimit dhe dinamikave të marrëdhënieve, por që shpesh nuk arrijnë të ndjejne ashtu sic “presupozohet”. Pavaresisht relativitetit te perjetimeve, literatura tregon se te gjithe ne qe priremi te intelektualizojmë mberrijme ne një pikë të përbashkët.

Ekam ndeshur te vetja, te shumë miq të mitë, atë momentin kur e shpjegon dhe analizon ndjesinë para se të lejosh veten ta ndjesh mirëfilltazi.

Ky është intelektualizimi emocional – një mënyrë për të shmangur “një lëndim” duke i veshur emocionet me petkun e arsyetimit.

Çfarë nënkupton “intelektualizimi” në psikologji?
Në psikoterapi, intelektualizimi përkufizohet si një mekanizëm mbrojtës, ku një person përpiqet të kuptojë emocionalisht diçka përmes analizës logjike dhe jo përmes përjetimit të vërtetë. Rrjedhimisht nuk përkthehet si mungesë ndjesish – por përpunimi i tyre mendor është aq i shpejtë, sa nuk le mjaftueshëm hapësirën të procesohen fizikisht.
E thënë ndryshe: kur flasim për ndjenjat e bëjmë të ngjasojë sikur u referohemi objekteve të jashtme, kur i përkufizojmë me fjalë të bukura, por nuk lejojmë të na prekin, shqetësojnë, trondisin,– atëherë nuk po “punojmë me veten”. Po i sistemojmë emocionet si skedarët në një raft. Duke i mbajtur larg vetes.

“E di pse më ndodh kjo. Është për shkak të stilit tim ambivalent ….”

“Mendoj se e kam të vështirë të atashohem sepse kam përjetuar braktisje në fëmijëri.”

“Nuk dua të krijoj varësi emocionale. E kam të qartë këtë në nivel racional.”

Gjithçka bën sens logjike të ftohtë, por ndonjëherë, pas të tilla pohimeve fshihet një tip boshllëku emocional: “kemi kuptuar gjithçka, por nuk e kemi përjetuar ende”.

Pse e bëjmë këtë gjë?

Sepse është më e lehtë të flasësh për ndjesitë sesa t’i përballosh ato. Sidomos për njerëzit që janë mësuar të duken/jenë “të fortë”, “të qartë”, “të pavarur”. Për ata që janë rritur me idenë se kontrolli i vetes është virtyt, ndërsa luhatjet emocionale janë “dobësi”.

Intelektualizimi është mburojë. Një lloj elegance mbrojtëse që na ndihmon të mos rrëzohemi, por ndërkaq na pengon të rrimë gjatë në brendinë e ndjesive të vërteta.

Çfarë humbasim kur jetojmë vetëm mendërisht?

Shpesh, nga frika prej një lëndimi të mundshëm, rrezikojmë të humbasim edhe kënaqësinë e vërtetë. Emocionet mbeten në sipërfaqe, bisedat priren të jenë tejet të analizuara, afërsia zëvendësohet me një përshkrim të saj. Dhe kështu, njeriu mund të jetojë një jetë të tërë duke u përpjekur të kuptojë gjithçka, por pa ndjerë asgjë vërtetësisht..

Terapistja Esther Perel pohon:

“Ne nuk rrënohemi nga ndjenjat në vetvete, por nga ato që nuk i përjetojmë dot plotësisht.”

Si të dalim nga ky kurth i bukur?

Esther Perel ne seminaret e saj, e vë theksin si më poshtë :

“Duke mos i zëvendësuar ndjesitë me fjalë: Thuaje si ndihesh, pa u përpjekur ta përkufizosh menjëherë. “
Në fund, maturim nuk do te thote të kontrollosh gjithçka që ndien, por të lejosh veten të përjetosh dhe më pas të kuptosh. “Asnjeherë anasjelltas”.

Latest articles

Related articles