nga Prel Dedaj
Zhgënjimi është një ndjenjë që lind tek secili individ, kur realiteti nuk përputhet me pritshmëritë që ai individ ka pasur. Është ajo gjendje emocionesh, si trishtimi, mërzitja, ndonjëherë edhe zemërimi, që ndodh kur shpresat ose dëshirat tona nuk realizohen.
Por nga gjithë zhgënjimet, zhgënjimi që është vërtetë pandemik në shoqërinë shqiptare, është zhgënjimi i shwiptarëve nga dy njerëz në këtë vend. Nga Edi Rama dhe Sali Berisha.
Kaq e kanë ndotur politikën këta dy njerëz, saqë politika i ngjan tashmë atij pallatit që ka dy të sëmurë mendor që banojnë në të, dhe, edhe pse janë 40 familje normale në atë pallat, prap se prap, njerëzit e quajnë atë pallat “pallati i të marrëve”.
Nga zhgënjimi tek këta dy individë, shoqëria ka kaluar në zhgënjim ndaj sistemit që duket se nuk arrin të përmbushë aspiratat e shoqërisë shqiptare për drejtësi, barazi, zhvillim dhe dinjitet.
Zhgënjimi vjen pasi është përmbyllur gënjeshtra me të kundërtën e saj.
Arësyet bazë të këtij zhgënjimi shoqëror, fillojnë me:
-Premtimet e pambajtura të Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike që kanë alternuar pushtetin, sa herë ia kanë vjedhur apo blerë njëra-tjetrës.
Si Edi Rama dhe Sali Berisha, kanë premtuar reforma të mëdha, luftë kundër korrupsionit, zhvillim ekonomik, integrim europian, etj, por shumë pak ose aspak prej këtyre premtimeve janë konkretizuar.
Në vend të përmbushjes së tyre ka ndodhur përditë e në sy të të gjithëve:
-Kapja e institucioneve deri tek krijimi i shtetit të kapur.
-Qytetarët kanë parë që drejtësia, media apo administrata janë të politizuara ose të kontrolluara nga individë apo interesa të ngushta, ndaj ka lindur tek ata një ndjenjë pafuqie dhe humbje besimi.
-Çdo ditë kanë parë mungesën e përgjegjësisë për veprat e rënda të konsumuara në kurriz të popullit:
Skandale të rënda, shpërdorime pushteti në përmasa të pabesueshme, ligje për të vjedhur, dhe korrupsion në përmasa të mëdha, që në shumicën e rasteve nuk sjellin pasoja reale për autorët e tyre.
Pasoja e ardhur, është emigrimi si zgjidhje sepse të gjithë ata që kanë ikur, apo që përpiqen për atë gjë, nuk e shohin më Shqipërinë si një vend ku mund të ndërtojnë jetën, ku mund të krijojnë dhe ta ruajnë familjen dhe dinjitetin e saj.
Edi Rama dhe Sali Berisha kanë bërë që nga zhgënjimi prej politikës së tyre, të krijohet një cikël të vetëushqyes: sa më shumë njerëzit zhgënjehen, aq më pak marrin pjesë në jetën politike; dhe sa më shumë qëndrojnë jashtë saj, aq më shumë forcohen strukturat që e prodhojnë këtë zhgënjim.
Ky fenomen lidhet ngushtë me apatinë politike, një gjendje ku qytetarët nuk ndihen më të përfaqësuar dhe nuk besojnë se pjesëmarrja e tyre ka ndikim për një përmirësim shoqëror.
Kjo shihet në pjesëmarrjen e ulët në zgjedhje, ku shumë njerëz votojnë “me shpirt të vrarë”, ose nuk votojnë fare.
Mosbesimin e ndërsjelltë, ku çdo figurë publike perceptohet si e korruptuar derisa të provohet e kundërta, ndërkohë që duhej të ishte e anasjellta.
Një retorike cinike në diskursin publik: “Të gjithë janë njësoj”, “Asgjë nuk ndryshon”, “Politika është pis”.
Dhe kur zhgënjimi bëhet normalitet, atëherë pushon së qeni një thirrje për ndryshim dhe bëhet pranim i heshtur i mungesës së tij.
Unë them që populli duhet të sillet si sovran, siç përcaktohet në kushtetutat e shumicës së vendeve të botës, edhe në tonën:
Zgjedhjet të jenë tribuna llogaridhënieje dhe alternativash për më mirë.
Si mundet Edi Rama t’u kujtojë të rinjve në fushatë se sa hamshor ka qënë, apo si mund të mburret ai tjetri që edhe pse e quajnë buf, thotë që jam buf i zgjuar.
Ne, kandidatët e dalë rishtaz këtë radhë, dhe unë personalish, e shoh zhgënjimin në një prizëm tjetër:
Zhgënjimi, sado i madh qoftë është dëshmia që kemi patur shpresë.
Kjo duket edhe me partitë që janë krijuar tashmë, që ia thonë në sy Sali Berishës që koha e tij ka mbaruar (më shumë për kohën politike), dhe ia thonë në sy Edi Ramës, politikën e tij armiqsore kundër popullit shqiptar dhe politikën diversive ndaj partive dhe popullit opozitar.
Ndaj i shoh partitë e reja dhe kandidatën e tyre si alternativa të mundshme për thyerjen e monopolit të dy partive sherrmëdha, edhe pse përballemi me sfida të mëdha për të përmbushur këtë mision.
Këto parti janë për mua:
-Zëri i pakënaqësisë që kumbon prej zhgënjimit të njerëzve nga partitë e vjetra, nga politika e tyre tradicionalisht e korruptuar.
-Larmia e ideve që po sjellin perspektiva të freskëta, çështje të nënvlerësuara (si mjedisi, të drejtat sociale, drejtësia tranzicionale) apo përfaqësim më të mirë të komuniteteve specifike.
-Janë tronditje e status quo-së, ku dy njerëz, ka tridhjetë vjetë që janë marrë vesh “që mos të merren vesh”, madje duke folur hapur për role e aktrim ndërkohë që unë insistoj për ndershmëri e atyre që zgjidhen ndaj atyre që i zgjedhin.
Natyrisht kemi pengesa:
-Sistemi elektoral i dakortësuar për të kënaqur interesat e dy njerëzve: njerit që do t qeverisë e tjetrit që do të ketë grup parlamentar për t’u mbrojtur.
Sistemi proporcional rajonal me lista të mbyllura është atentat ndaj demokracisë.
-Dominimi mediatik i partive të mëdha është tjetër pengesë. Kjo sepse mediat tradicionale i japin pak hapësirë partive të reja, përveçse në mënyrë sensacionaliste apo si “kuriozitete” dhe jo si opsione me ekipe qeverisëse.
Por prapë mendojmë se do ia dalim.
Aleanca me të vërtetën, vlen më shumë se lodhja okulte me gënjeshtrën, të cilën ne po e zbulojmë dhe demontojmë çdo ditë.



