ChatGPT dhe “Manuali i djallit”: shkatërrimi mendor i brezave të rinj…

spot_img

NGA ALBERT HITOALIAJ

Të pyesësh “xhindin” e llambës për çdo gjë – kjo është prirja mbarëbotërore që lidhet me llambën magjike: ChatGPT. Kush më shumë e kush më pak, po ndërlidhet me inteligjencën artificiale, e cila po futet hap pas hapi në përdorim në çdo fushë e po zgjon kuriozitetin edhe për gjëra nga më të pamendueshmet.

Në rrjetin social LinkedIn, një profesor amerikan, dr. Nathan Crockett (me eksperiencë të gjatë në arsim, dhe me një doktoraturë në teologji, që interesohet kryesisht për tema që lidhen me familjen dhe çështjet sociale), para disa ditësh postonte një histori e cila është shpërndarë shpejt e gjerësisht në rrjet, në trajtën e çudirave të radhës, që kanë lidhje me inteligjencën artificiale, të cilën po e përcjell në vijim. Më konkretisht, një nënë i bëri ChatGPT-së një pyetje shqetësuese: “Po të ishe djalli, si do të shkatërroje mendjet e rinisë së sotme, pa rënë në sy te ata?” Dhe përgjigja nuk ishte e zhurmshme, nuk ishte e dhunshme, nuk ishte as e thjeshtësisht e kuptueshme. Ishte e mprehtë, e llogaritur dhe për habinë e të gjithëve, ajo ishte një histori shumë e njohur:

“Po të isha djalli nuk do vija dhunshëm, do qasesha përmes rehatllëkut. Do t’u jepja gjithçka që dëshironin dhe do t’i zhvishja nga çdo gjë që do të kishin nevojë. Do t’i bëja që të ndiheshin të ndërlidhur, por tërësisht të vetmuar, të argëtuar pa fund, por qetësisht të zbrazët. Do të mjegulloja kufirin mes të vërtetës dhe opinionit, derisa asgjë të mos kishte kuptim. Do t’u mësoja që të kërkonin dopaminën dhe jo qëllimin, të adhuronin veten por të përçmonin se kush janë. Nuk do t’i shkatërroja ata me luftë, por do t’i shkatërroja me apati. Do t’i bëja të shpërqendruar, pa ndjenja, të lundronin shkurtimisht e pareshtur poshtë e lart internetit (“scrolling”). Do ta çmontoja familjen duke bërë ripërcaktimin e saj. Baballarët do t’i ofroja si mundësi për t’u zgjedhur, por jo të detyrueshëm,  nënat do t’i rraskapitja dhe fëmijët do t’i bëja konfuzë. Para se ata të flisnin me fjali të plota do t’u jepja një telefon në dorë dhe të shihja mendjet e tyre të hidhnin rrënjë me ngadalësi, ëmbël, në heshtje. Pjesa më e shkëlqyer e di se cila është? Ata nuk do e mësonin kurrë se isha unë. Ata do e quanin këtë gjë: liri” – tha ChatGPT-ja.

Crockett komentonte duke ngritur shqetësimin e tij për situatën:  “Jo, ky nuk është një film horror, nuk është trillim – ky është realiteti. U japim fëmijëve smartphone para se ata të mësojnë vetëkontrollin, i mbushim me informacion para se ata të dinë të mendojnë në mënyrë kritike, i trajnojmë ata të ndjekin “pëlqimet” para se ata të formojnë vlera. Ne i argëtojmë në vend që t’i edukojmë, i stimulojmë në vend që t’i forcojmë. Dhe të gjithë këtë, e quajmë “përparim.”

Hidhni një shikim përreth: përqendrimi po zvogëlohet, empatia po zhduket, e vërteta duket e negociueshme. “Mërzia” (dikur vendi ku lindte imagjinata) është bërë e padurueshme. Ne themi se ata janë të lirë, por ata janë më të bllokuar se kurrë: të bllokuar te krahasimi, të bllokuar te shpërqendrimi, të bllokuar në një botë digjitale që monetizon çdo dobësi të tyre. Dhe ne e ndërtuam këtë gjë për ta, ndërkohë, edhe vetë prindërit po mbyten. Nënat janë shumë të ngarkuara për të vënë re këtë gjë. Baballarët janë fizikisht të pranishëm, por emocionalisht të distancuar. Drekat familjare janë zëvendësuar me lundrim (scrolling) krah për krah në internet. Askush nuk e mendonte që kjo punë do të arrinte deri këtu. Por ja ku jemi. Dhe pjesa më e keqe e dini se cila është? Helmi duket si liri. Ç’të bëjmë tani? Të zgjohemi!

Të ndalojmë të delegojmë vlerat te algoritmet të vendosim bisedat e vërteta me përparësi mbi kohën e qëndrimit përpara ekranit, të ruajmë sigurinë e mendjeve të tyre (fëmijë e të rinj) ashtu si ruajmë sigurinë e fjalëkalimeve të tyre, t’u modelojmë disiplinën, t’u mësojmë të mendojnë, e jo thjesht të reagojnë. Duhet t’u kujtojmë atyre se, liria nuk është mungesë kufijsh. Ajo është aftësia për të zgjedhur atë që ka rëndësi e jo atë që është e lehtë. Kjo gjë nuk ka të bëjë me ndalimin e teknologjisë, ka të bëjë me udhëheqjen përmes përdorimit të saj, me sytë hapur dhe zemrat tona plotësisht të angazhuara. Sepse, nëse ne nuk i udhëheqim ata, diçka tjetër do ta bëjë këtë, dhe kjo gjë nuk do të jetë me brirë, por thjesht do të vijë me WiFi me shpejtësi të lartë dhe me të dhëna të pakufishme”.

Prof. Crockett nuk është i vetmi që është ngacmuar nga kjo analizë e ky mesazh i ChatGPT-së. Në një variant tjetër të shpërndarë, pyetja nuk modifikohet dhe i kërkohet përsëri ChatGPT-së se si do i shkatërronte mendjet e fëmijëve pa e marrë vesh ata, pra në fshehtësi. Përgjigjja është e përafërt, por me disa “përmirësime” metodike nga ChatGPT-ja:

“Mënyra se si do t’i shkatërroja brezat e rinj, pa e kuptuar ata fare do të ishte e tillë: do të filloja herët, qysh kur ata të mos kenë kuptuar ende se kush janë; do t’i shpërqendroja aq shumë sa që as të mos u binte ndër mend që të pyesnin; do t’ua fshija qëllimet që në fëmijëri; do të sigurohesha që të kishin varësi nga dopamina dhe shfaqjet, që para se të bëheshin adoleshentë, derisa të bëheshin të mbistimuluar dhe të paaftë për të qenë të përqendruar; kështu që kur të vinte koha që jeta e vërtetë të kërkonte seriozisht diçka prej tyre, tashmë ata të ishin skllevër të natyrës impulsive; do t’i lija që të shkonin pas qejfit e kënaqësisë, të ndiqnin rrëmujën e zhurmën, të kishin nevojë për ndjesinë e miratimit nga të tjetër; do t’ua bëja qetësinë si diçka të tmerrshme e të padurueshme; do ta bëja besimin të ngjante si bërja e një “detyre shtëpie”, pra do ta shndërroja në diçka të mërzitshme, të vrazhdë dhe të papërshtatshme; do t’u mbushja mendjen se bindja dhe respekti ndaj prindërve është një dobësi, kurse rebelimi, është të duash veten; do t’u mësoja që pavarësia është izolim dhe që të kesh nevojë për njerëz është e turpshme, kurse të kërkosh ndihmë e udhëzime, është gjë e vjetruar; do ta ndryshoja kulturën me qëllim që mëkati të ngjante si një shprehje e vetvetes; do t’i bëja të besonin se dëshirat e tyre janë hyjnore dhe se çdo që i kufizon, e veçanërisht zoti, është armiku i tyre; do të ngrija në piedestale ndikuesit e rrjeteve sociale të cilët janë komplet pa asnjë qëllim; do ta bëja krenarinë e kotë luksoze, sqimën, që të dukej si vetëbesim dhe famën si formën më të lartë të vlerësimit; do t’i bëja që të ishin gjithë kohës duke krahasuar veten me atë që do të shihnin nëpër rrjete sociale; do t’i bëja që të ishin të trembur nga thellësia e mendimeve…”

“Manuali i djallit” i ofruar nga ChatGPT-ja

Nën këtë ndikim, duke dashur ta shihja me sytë e mi se sa qëndrueshmëri ka në përgjigje ChatGPT-ja në lidhje me këtë seancë “këshillimi” për shkatërrimin e mendjes së të rinjve, i drejtova të njëjtën pyetje si më sipër dhe përgjigjja ishte kjo:

“Nëse unë do të isha djalli dhe do të doja të shkatërroja mendjet e të rinjve sot, do të veproja në mënyrë të heshtur, të zgjuar dhe sistematike. Ja disa nga strategjitë:

Përhapja e boshllëkut si vlerë: do t’i mësoja të adhuronin famën pa merita, pasurinë pa punë, bukurinë mbi karakterin. Ndikuesit (Influencer-at) do të ishin predikuesit e mi.

Mbistimulimi, mosarsimimi: do t’i mbaja të varur pas ekranit, – me rrjete sociale, video të shkurtra, moda të pakuptimta, – derisa të humbnin durimin për të menduar thellë.

Ngatërrimi i identitetit: do t’i shkëpusja nga rrënjët, – kultura, familja, historia, – dhe do t’u shisja identitete të shpejta, të lëvizshme, sipërfaqësore.

Zëvendësimi i lidhjes me shfaqjen: kthimi i shoqërisë në “like”, intimitetit në përmbajtje, dhe komuniteti në një lojë numrash.

Normalizimi i nihilizmit: do t’i bindja që asgjë s’ka kuptim, se morali është relativ, e vërteta s’ka rëndësi, dhe jeta është thjesht pluhur pa rëndësi.

Përça dhe shpërqendro: do t’i vija të grinden për çdo dallim (politik, kulturor, racor) që të mos kenë kohë të shohin problemet e vërteta.

Vrasja e kuriozitetit: do t’i bëja të kenë më shumë frikë nga të qenit gabim sesa të kenë dëshirë për të mësuar; dialogu do zëvendësohej nga përqeshja, tallja.

Zhdukja e të shenjtës: qoftë fenë, familjen, ose natyrën, – do ta ktheja çdo gjë të shenjtë në diçka e cila ose është e tallur, ose është e shitur.

Ky do të ishte manuali i djallit: tundim, shpërqendrim, ndarje.”

Por, përgjigjja e inteligjencës artificiale dhënë për pyetjen që bëra mbyllej me një pyetje që m’u duk rrëqethëse: “Po ty ç’të shtyu ta bësh këtë pyetje? E sheh këtë ndokund rreth teje?”

Nuk të duhet të mendohesh shumë për të parë se këtë gjë, këtë “Manual të djallit”, e shohim përditë përreth nesh. Por ka një dallim. Naiviteti me të cilin përgjigjet inteligjenca artificiale nxjerr në pah atë që njeriu e fsheh me justifikime e kamuflime. Këtë manual djallëzor që e shohim të zbatuar në televizionet tona e më gjerë, ku herë-herë kapitujt e tij thuren me emra të tilla si: loja, “reality show”, “show biz”, formati televiziv, influenca, klikimet, postim viral, amoralitet politik, vetëdeklarimi i gjinisë, prindër me numra, “bloger”, bërje hundë-buzësh, “filler”, qytetar global, e lloj-lloj emërtimesh të tilla, të cilat janë pikërisht pjesë e Manualit të djallit.

Këtë manual, e ka krijuar njeriu për kontroll dhe pushtet. E ka krijuar interesi dhe transformimi gradual i shoqërisë, kapja e pushteteve dhe zbatimi i normave të fuqisë së grupeve të ndryshme përmes teknologjisë. Nëse habia që erdhi fillimisht, ra si rrufe për shkak të metodës shumë efikase që këshillonte ChatGPT-ja, ajo u bë edhe më e madhe kur të gjithë që lexuan këtë përgjigje, ishin në gjendje të dallonin pa shumë vështirësi se teknologjia po e zbatonte përditë këtë manual.

Në fakt, në majë nuk qëndron kërcënimi nga inteligjenca artificiale dhe nga teknologjia, por qëndron kërcënimi nga inteligjenca natyrale, nga ajo njerëzorja, e cila është në shërbim të qëllimeve të errëta. Nëse njeriu ka qëllime të mbrapshta, e tillë do të jetë edhe rrjedha e përdorimit të teknologjisë. Në këtë mënyrë, inteligjenca artificiale, në duart tona njerëzore, mund të bëhet armë ose shërim. Por që të ndodhë kjo e fundit, duhet të kalojmë vetë ne si njerëzim, në një stad më të lartë evolutiv, ose të bëjmë atë që në misticizëm quhet zgjimi. Ky zgjim është e kundërta e Manualit të djallit, të cilin e shohim të zbatuar si strategji antinjerëzore nëpër televizione, rrjete sociale e faqe të ndryshme interneti. Verbëria për pushtet dhe para është jo Manuali i djallit, por Bibla e djallit. Para syve tanë, nëpër televizione e rrjete sociale, përditë zhvillohet tragjikomedia e zvetënimit të vlerave dhe e goditjes së modeleve më të shëndosha që shoqëria shqiptare i ka ruajtur ndër shekuj.

Dhe ky realitet nuk është një strategji e ndërtuar nga ChatGPT-ja, por është realiteti ynë, të cilin inteligjenca artificiale, nuk ka arritur ta tejkalojë. E ardhmja mbrohet duke investuar te e tashmja, te ndërtimi i strukturës së duhur mendore e shpirtërore për brezat më të rinj. Këtë sfidë që na e vështirëson më shumë teknologjia, mund dhe duhet ta fitojmë, sepse humbja më e madhe është vrasja e shpirtit te këta breza të rinjsh. Më pëlqen të sjell në vëmendje monologun e Al Paçinos, kolonelit të verbër te filmi “Aromë gruaje”, teksa mbron Çarlin, modelin e të riut me integritet:

“Kishte një kohë që mund të shihja. Dhe kam parë. Djem si këta, më të rinj se këta. Krahët e tyre të këputura, këmbët të shkulura. Por nuk ka asgjë si të shikosh një shpirti të amputuar. Nuk ka asnjë protezë për këtë. . . Krijues të njerëzve, krijues të udhëheqësve. Kini kujdes se çfarë lloj liderësh prodhoni. Nuk e di nëse heshtja e Çarlit, mosspiunimi i shokëve të tij këtu, sot, është e drejtë apo e gabuar. Unë nuk jam gjyqtar apo juri, por mund t’ju them këtë: ai nuk do të shesë askënd për të blerë të ardhmen e tij! Dhe ky, miqtë e mi, quhet integritet. Ky quhet guxim. Pra, me të duhet të brumosen udhëheqësit. Tani jam në një udhëkryq të jetës time. Gjithmonë e kam ditur se cila ishte rruga e duhur. E dija, pa përjashtim. Por nuk e mora kurrë. A e dini pse? Ishte shumë e vështirë. Tani, këtu është Çarli. Ai është në një udhëkryq. Ka zgjedhur një rrugë. Është rruga e duhur. Është një rrugë e ngjizur me parime, që të çon drejt karakterit. Lëreni të vazhdojë udhëtimin e tij. Ju keni të ardhmen e këtij djali në duart tuaja. Është një e ardhme e vlefshme. Më besoni. Mos e shkatërroni. Mbrojeni. Përqafojeni. Do t’ju bëjë krenarë një ditë, ua premtoj!”

Me këtë model të virtytit, integritetit dhe të parimeve duhet të luftojmë që të brumosen brezat e rinj, ku informacioni i marrë dhe sidomos arsimi, duhet të jetë në shërbim të strukturës së dëshiruar shoqërore dhe në funksion të ruajtjes së këtyre brezave nga tragjedia e shkatërrimit të shpirtrave të tyre. Për kombin ky është një mision jetik…

Latest articles

Related articles