Shkelësi i ligjit Agron Shehaj
Një nga anët më të errëta të politikës në Shqipëri është financimi i partive. Para nga korrupsioni, para nga krimi i organizuar dhe pa asnjë dyshim edhe para nga agjenturat e huaja. Askush më mirë se vetë Edi Rama nuk mund t’i japë një definicion të qartë e të goditur rrethit vicioz korrupsion/politikë që i mban thonjtë të ngulur thellë në të ardhmen e shqiptarëve: “Vjedhin Shqipërinë për të blerë vota dhe blejnë vota për të vjedhur Shqipërinë”. Ky është përshkrimi më i mire i atij rrethi vicioz që ka mbërthyer shqiptarët prej tre dekadash.
Biznesmeni Agron Shehaj ka krijuar një biznes politik emërtuar “Mundësia”, të cilën ai e quan parti politike. Ky biznes politik që Shehaj këmbëngul ta quajë parti, financohet kryesisht vetëm nga Agron Shehaj. Kur i kujtojnë se ligji i partive politike në Shqipëri ka një limit për financimin, Agron Shehaj përgjigjet se ai do ta shkelë ligjin dhe pastaj do të paguajë gjobën. Pra biznesmeni Agron Shehaj mendon se çdo gjë mund të blihet në Shqipëri, qoftë edhe ligji. Me këtë logjikë, Agron Shehaj mund të dalë një ditë të bukur e të blejë vota haptas dhe të na thotë se nuk e ka problem edhe të bëjë pak burg për të mirën e partisë së tij personale. Apo mund të gjejë nja dy bedelë për ta bërë këtë, me shembullin e pronarit të partisë që shkel ligjin me paramendim dhe thotë se është i gatshëm të përballet me pasojat (kupto, të paguajë pasojat).
Agron Shehaj thotë se shumë parti politike në Shqipëri kanë financime të dyshimta, ndërsa ai është i vetmi që e financon partinë e tij me para që vijnë nga biznesi i tij. Pjesa e parë e pretendimit, se shumë parti në Shqipëri kanë financim të dyshimta, është më se e vërtetë dhe SPAK duhet të hetojë në këtë drejtim. Mirëpo krijimi dhe financimi i një partie nga një njeri i vetëm, është problematik në disa pikëpamje. Së pari, këtu bie parimi i barazisë në një subjekt politik. Imagjino që nesër të bëhen zgjedhje për kryetar në këtë parti dhe antarësia të votojë Erald Kaprin. Në këtë rast partia mund të falimentojë financiarisht, pasi Shehaj mund të vendosë të mos e financojë më. E dimë që askush nuk guxon të sfidojë kryetarin në një parti të tillë. Ishte thjesht supozim.
Është e vërtetë se partia Mundësia nuk është e vetmja parti me pronar në Shqipëri. Në këtë pikë shkëlqen Tom Doshi dhe jo vetëm. Ama nqs për subjektet e tjera kjo duhet të vërtetohet juridikisht (dhe kjo duket punë mjaft delikate dhe e komplikuar), Agron Shehaj e pranon haptas dhe publikisht se ai është pronari real i kësaj partie. Agron Shehaj mund të garojë edhe me një firmë ndërtimi, apo me një call center nqs ligji e lejon, ama nuk mund të na thotë se një call center mund jetë edhe parti politike. Edhe Berlusconi e shndërroi bordin drejtues të biznesit të tij në një parti politike, por kurrsesi nuk doli të thoshte se ai do të ishte i vetmi financues i kësaj partie.
Agron Shehaj doli e shpifi publikisht për Adriatik Lapajn me qëllim dëmtimin e figurës së tij përpara garës elektorale të 11 majit. Emisioni Top Story ku u ballafaquan të dy bashkë tregoi qartë se Shehaj nuk kishte prova për të mbështetur pretendimet e tija. Ka njeri që mund ta kundërshtojë mundësinë se Agron Shehaj e ka bërë këtë me të njëjtën logjikë që shkel ligjin e financimit të partive politike? Pra po shkel ligjin duke shpifur për Adriatik Lapajn dhe pastaj paguaj faturën financiare të kësaj shpifjeje. Domethënë kjo bëhet para zgjedhjeve me qëllim dëmtimin e subjektit politik të Lapajt në 11 maj dhe Shehaj e paguan faturën pas zgjedhjeve. Ky mund të jetë një kalkulim elektoral dhe nqs është i tillë, duhet pranuar se është shumë interesant.
Ligji i financimit të partive politike është hartuar enkas i butë për sa i përket tejkalimit të limiteve të financimit, sepse partitë e vjetra asnjëherë nuk i respektojnë këto limite. Mirëpo ato kurrë nuk kanë arritur deri në këtë nivel pafytyrësie sa të thonë se ne do ta shkelim ligjin dhe do të paguajmë gjobën. Apo Agron Shehaj mendon se ka lekë më shumë se ata?
Ironia është se kur Agron Shehaj pyetet se përse nuk ka dalë me lista të hapura si psh Lulzim Basha dhe Adriatik Lapaj, Shehaj jep përgjigjen epike :”Ne respektojmë ligjin”. Pra nuk është e vërtetë se Agron Shehaj nuk i respekton ligjet e Republikës së Shqipërisë. Ai nuk respekton vetëm ligjet që nuk i pëlqejnë. Ai zbaton të gjitha ligjet e tjera, përfshirë ligjin që i lejon të jetë i pari në një listë të mbyllur(njësoj si partitë e sistemit). Ama në ato raste kur ligji nuk i pëlqen, Agron Shehaj hap kuletën. Pra ky është vizioni i tij për botën dhe për Shqipërinë e nesërme, shkel ligjin dhe pastaj hap kuletën.
Luftëtari anti-sistem
Fushata mediatike e Agron Shehaj është mbresëlënëse. Shehaj është politikani më i pranishëm nëpër studio televizive ndër krerët e partive të reja. Bie në sy edhe fakti që kryesisht trajtohet me dashamirësi. Këtu lindin disa pyetje. Duke qenë se Agron Shehaj premton të shkallmojë sistemin, është pak e çuditshme që sistemi ia hap me katër kanate dyert e televizioneve. Flasim për atë sistem, për të cilin Agron Shehaj thotë me të drejtë se kontrollon gjithçka. Deri te marka e ujit pa gaz që shet lokali i lagjes. Pra këta oligarkë që kontrollojnë edhe markën e ujit që shet lokali i lagjes, afërmendsh që kontrollojnë edhe politikat editoriale të televizioneve, edhe rezultatet e sondazheve. Ndaj nqs Agron Shehaj është i ftuar i privilegjuar dhe i mirëtrajtuar nëpër studio televizive, si dhe del mirë në sondazhet sistemit. Këtu kemi të bëjmë me disa mundësi:
Mundësia e parë është që Agron Shehaj është vërtet një politikan i sinqertë që ka qëllim të shkatërrojë sistemin, por oligarkët nuk e marrin seriozisht dhe nuk e konsiderojnë. Natyrisht që nuk konsiderojnë as sondazhet që e kuotojnë lart partinë e Shehajt. Pra jo vetëm që nuk tmerrohen nga kërcënimet e Shehajt, por ia lënë të gjitha dritaret hapur, që Shehaj të shërbejë si dekor i një sistemi që i hap dyert edhe një opozitari të egër si Agron Shehaj.
Mundësia e dytë është se një rezultat i mirë elektoral i Shehajt nuk i shqetëson oligarkët, sepse ata kanë garanci që Shehaj nuk i ka seriozisht ato që thotë. Ndaj e përkrahin, që ai të dalë sa më mirë.
Mundësia e tretë është që Agron Shehaj e ble me para hapësirën televizive. Pra ble televizionet e oligarkëve që nga frëngjitë e studiove televizive të sulmojë oligarkët.
Mundësia e katërt është që Agron Shehaj përdoret nga një oligark, për të sulmuar një oligark tjetër. Kjo ndodh në rastet kur personi në fjalë denoncon disa koncensione, por ‘’harron’’ disa të tjerë.
Unë nuk mund ta them me siguri se cili është varianti i saktë, ama në një shtet ku lokali i lagjes e ka detyrim/përcaktim markën e ujit që do të shesë, një opozitar që kërcënon të varrosë sistemin ka jo vetëm shumë hapësirë mediatike, por edhe promovim të fuqishëm, kjo më së paku është shuuumë e çuditshme.
Kuleta e Agron Shehajt
Për ata të cilëve iu duket normale që një njeri të financojë një parti sa të ketë dëshirë për sa kohë këto para janë të ligjshme, po u jap një rast hipotetik. Imagjinojmë që Elon Musk kërkon shtetësinë shqiptare dhe e merr. Pastaj ai krijon një parti politike dhe e financon atë pa limit. Me fuqinë financiare që ka z. Musk i bie që nëpër televizionet shqiptare dhe nëpër të gjitha mediat e tjera të jetë vetëm partia e tij dhe të gjitha subjektet e tjera politike të bëjnë politikë vetëm në profilet e tyre në rrjetet sociale. Në një shtet demokratik qytetari duhet t’i shohë të gjitha këndvështrimet dhe të gjitha ofertat politike, që pastaj ai të gjykojë cila është më e mira për të. Në zgjedhje nuk duhet të garojnë vetëm ato subjekte që kanë para, por duhet të kenë mundësinë të garojnë të gjitha subjektet. Për këto arsye dhe jo vetëm, shtetet vendosin limite për financimin e partive politike.
Duket se Agron Shehaj e ka hapur fort kuletën për të promovuar veten e tij në këtë fushatë elektorale për zgjedhjet e 11 majit. E ka hapur aq shumë, sa edhe mund të duket si një biznesmën i falimentuar, i cili dëshpërimisht aksionet e fundit që i kanë mbëtur i luan në ruletë. Për sqarim, këtu nuk aludoj asgjë. Është thjesht shija që të lë agresiviteti i PR-it të z. Shehaj.
Në ndihmë të PR-it të z. Shehaj duket se ka ardhur dhe gazetari dhe analisti nga Kosova, Berat Buzhala. Këtu nuk kuptohet mirë çfarë ka ndodhur. Buzhala ka rënë në sharmin e Agron Shehajt? Apo paguhet për t’i bërë PR? I duket kull (cool) Shehaj, apo pagesa që merr nga Shehaj? Këtë do ta marrim vesh në fund të fushatës, kur subjektet të deklarojnë shpenzimet. Se ky fenomeni i analistëve kosovarë që vijnë dhe e bëjnë ndonjë pare në Shqipëri është bërë fenomen interesant dhe meriton një studim veç. Pa e paragjykuar Buzhalën, se ky edhe mund ta ketë parimore përkrahjen për Shehajn.
PS: Një njeri që ka para mund të ketë një makinë të bukur, mund të ketë një veturë të bukur, mund të ketë një grua të bukur. Por një njeri që ka para nuk mund të shkelë ligjin dhe pastaj të hapë kuletën. E dimë fatkeqsisht kjo ndodh në botën e sotme. Mirëpo nuk është kjo që presim nga politikanët e rinj që na kërkojnë votën.