Prel Dedajn e gjejmë duke pirë kafen e parë me kolegët e ish kolegët e uniformave blu në Fushë Mamurras. “Këta janë vëllezërit e mi, nuk më kanë harruar kurrë. Sot më japin zemër e mbështetje” – thotë Prel Deda, i ardhur nga Amerika për të kandiduar për deputet me Koalicionin Euroatlantik në qarkun Lezhë.
Ai është bir i një familjeje të persekutuar nga regjimi komunist, me baba të burgosur e daja të arratisur në Amerikë. Me origjinë nga Berisha e Puka ai prej vitit 1985 ka jetuar në Kurbin.
“Me Kurbinasit jam ndjerë i respektuar e i nderuar. Kam gjetur burrëri e urtësi si askund tjetër në vend. Janë trima e rë besës” – thotë me krenari Prela.
Pas vitit 1992 Prela punoi në polici në Kurbin e në Pukë, prej shef kuadri deri shef i policisë. Më pas u angazhua si kryetar i PD në Pukë e mandej në vitin 2004 emigroi në Amerikë.
Sot në Amerikë ai e familja e tij kanë biznes, paguajnë rroga, nxjerrin fitime të ligjshme. Pra nga persekutimi në Shqipërinë komuniste kanë arritur të kenë biznes në Amerikë.
“Politika për mua është një pasion sa i ri aq i vjetër” – thotë Prela, I cili ka lënë punët e familjen për të qenë kudo, në fushatë. “Këta njerëz kanë nevojë për njerëz dhe jo për politikan. Unë s’dua të jem politikan, këta njerëz duan zgjidhje dhe do tju jap zgjidhje kurdoqoftë“.



