1.
Iku edhe nji nga gjenitë e fundit:
Mario Vargas Llosa
(1936 – 2025)
Jorge Mario Pedro Vargas Llosa, (28 mars 1936 – 13 prill 2025), ishte një gazetar dhe shkrimtar peruan. Llosa ishte një nga romancierët dhe eseistët më të rëndësishëm të gjuhës spanjolle dhe të Amerikës Latine dhe një nga shkrimtarët kryesorë të brezit të tij. Disa kritikë e konsiderojnë atë të ketë pasur një ndikim ndërkombëtar dhe audiencë më të madhe në mbarë botën se çdo shkrimtar tjetër i “boom”-it të Letërsisë latino-amerikane .
Kjo lëvizje me ndikim botëror lidhet me Julio Cortázar në Argjentinë, Carlos Fuentes, Meksikë, Llosa, Peru dhe Gabriel García Márquez të Kolumbisë.
- Në vitin 2010, ai fitoi Çmimin Nobel në Letërsi për – siç është thënë nga Akademia Suedeze e Nobel-it – “hartografinë e tij të strukturave të pushtetit dhe imazhet e tij të mprehta të rezistencës, revoltës dhe disfatës së individit”.
2.
Llosa dhe e drejta e Kosovës
Vargas Llosa është një nga mbështetësit e mëdhenj të shqiptarëve të Kosovës dhe si një intelektual që doli në mbrojtje të intervenimit të NATO-s në Kosovë.
“Nëse NATO-ja nuk e fiton këtë luftë dy milionë kosovarë humbin vendin e tyre, shtëpitë e tyre, tokat e tyre dhe shumica jetën e tyre. Kjo bindje shumë prej nesh na bën, jo pa frikë e dyshime, ta mbështesim ndërhyrjen”, thotë Vargas Llosa në esenë “Zjarrmitë pacifiste”, të botuar në librin “Çështja e Kosovës”, të botuar në gjuhën shqipe.
“Konflikti aktual i Kosovës filloi dhjetë vjet më parë, kur Millosheviqi, për ta arritur pushtetin absolut në Jugosllavi, shfuqizoi autonominë e Kosovës dhe nxiti fushatën nacionaliste në favor të Serbisë së Madhe, që rezultoi me shkëputjen e Sllovenisë dhe të Kroacisë, me masakrat dhe copëzimet pasuese të Bosnjës. Edhe pse jo i vetmi, regjimi i Millosheviqit ka qenë përgjegjësi kryesor për tragjedinë kosovare. Shumë nga ne që e mbështetëm ndërhyrjen ushtarake të NATO-s e bëmë sepse kemi qenë të bindur që objektivi i saj ishte ndalimi i shfarosjes së shqiptaro-kosovarëve përmes likuidimit të regjimit diktatorial të Millosheviqit dhe instalimi i demokracisë në Jugosllavi, që do të thotë një regjim i ligjshmërisë dhe lirisë që në kuadrin e marrëveshjeve të Rambujesë të negocionte me kosovarët, një sistem bashkekzistimi ose pavarësie, që do të sillte paqe në rajon”
3.
Çështje për diskutim: Llosa me Camus-in kundër Sartre-it
E tërë filozofia e Sartre-it pozicionin e njeriut e sheh të varur nga projekti i “kthesës kolektive”, që nënkuptonte një revolucon të së majtes.
A ishte ky projekti i “humanizimit të dhunshëm të shoqërisë” përmes një revolucioni/kthese kolektive, a merr dhuna karakteristikat e ideologjisë tek Jean Paul Sartre, të cilës do t’i printe “intelektuali shoqërisht i angazhuar”, për çka angazhohej edhe vetë ai;
Sartre, nëse mbështetemi në Mario Vargas Ljosen, në kohën e polemikës me Camus-in për kampet e përqëndrimit, pranoi idenë e këtij veprimi si një e keqe, por thoshte: “Është dashur të paguhet çmimi për të arritur deri te socializmi, që është e drejta dhe liria.”
Në ndërkohë Albert Camus nuk pajtohej me këtë , ngase për të arritur deri te kjo shfrytëzohet krimi. Camus, thotë Ljosa – ngulmontenë atë, se qëllimi nuk arsyeton mjetet. Kur njerëzit për ideale të larta përdorin edhe mjete kriminale, atëherë qëllimi është i shkatërruar, i deformuar dhe më këtë edhe gjithë ajo që keni paramenduar të arrini.
Historia – vëren Ljosa – i dha të drejtë Camus-it, ndërkaq të gjithë ata që mbështetën Sartre-in u mashtruan dhe u bënë pjesëmarrës të krimeve monstruoze kundër njerëzimit. A është, pra, humanizmi ekzistencialist i Sartre-it ideologji e dhunës?
Kjo është një çështje për diskutim, me rastin e shqyrtimit të veprës së Sartre-it.