Gazeta gjermane “Der Standard” shkruan se qeveria e djathtë italiane e drejtuar nga Meloni po përpiqet sërish të mbushë kampet e saj të dëbimit në Shqipëri. Në vend të refugjatëve që mbërrijnë me varka, “Roma tani ka dërguar edhe emigrantë kriminelë”.
“Shumica e emigrantëve nuk e kishin idenë se çfarë po ndodhte me ta. Ata u zgjuan në qeli natën mes së enjtes dhe të premtes. U vunë në pranga dhe u transportuan me autobus për në qytetin portual të Brindisit në jug të Italisë. Vetëm në port ndoshta e kuptuan se tani do të dërgoheshin në kampet italiane të dëbimit në Shqipëri. Dhe ishte pikërisht kjo ajo që ndodhi” shkruan gazeta.
Emigrantët u dërguan me anijen e marinës “Libra” në portin e Shëngjinit dhe prej andej në kampin e dëbimit të Gjadrit, rreth 20 kilometra më larg. Sipas mediave italiane, të dëbuarit e transferuar në Shqipëri nga autoritetet italiane ishin emigrantë nga Maroku, Tunizia, Algjeria, Nigeria, Egjipti, Pakistani, Bangladeshi, Gjeorgjia dhe Moldavia.