Kryeministri Edi Rama ka çelur zyrtarisht fushatën e tij politike, por ajo që tërhoqi menjëherë vëmendjen nuk ishte vetëm pjesëmarrja e detyruar e administratës publike, por skenografia. Me një sfond të stolisur me yjet blu të Bashkimit Evropian, Rama duket se ka zgjedhur të kopjojë pamjen vizuale të fushatës së Lulzim Bashës dhe Partisë Demokratike në zgjedhjet e vitit 2021.
Ndërsa në atë kohë, Basha dhe PD premtonin një integrim të shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe një luftë të hapur kundër korrupsionit, Edi Rama sot e përdor simbolikën e BE-së në një kohë kur shumë prej bashkëpunëtorëve të tij më të afërt ndodhen në burg ose janë nën hetim, pikërisht për afera të rënda korrupsioni. Ironia qëndron në faktin se Rama premton Evropën, ndërsa sistemi që ai drejton është shpesh përmendur si pengesa kryesore për integrimin e vendit.
