Kina do të vendosë tarifa 84% ndaj mallrave amerikane duke filluar nga e enjtja, nga 34% e njoftuar më parë, njoftoi të mërkurën Ministria e Financave, duke shkaktuar përplasjen e fundit në një luftë tregtare globale të shkaktuar nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.
Tarifat reciproke të Trump ndaj dhjetëra vendeve hynë në fuqi të mërkurën, duke përfshirë tarifat masive 104% për mallrat kineze.
Edhe Bashkimi Evropian po përgatit masat e veta hakmarrëse të cilat pritet të publikohen në vijim.
Tarifat ndëshkuese të Trump të cilat ai thotë se synojnë t’i japin fund defiçiteve tregtare të SHBA me shumë vende, kanë ndryshuar një rend tregtar global që ekziston për dekada, duke rritur frikën e recesionit dhe duke fshirë triliona dollarë nga vlera e tregut të firmave të mëdha.
Tregjet globale morën një goditje të mërkurën pasi tarifat 104% të Trump ndaj Kinës hynë në fuqi dhe një shitje e egër e bonove amerikane ngjalli frikën se fondet e huaja po iknin nga asetet amerikane.
Tregjet ranë më tej pasi Kina u hakmor. Aksionet evropiane zgjeruan humbjet e tyre. Çmimet e naftës ranë në nivele edhe më të ulëta në katër vjet dhe kontratat e së ardhmes së indeksit të aksioneve në SHBA ranë ndjeshëm