Gënjeshtarë, fytyra juaj ju tradhton ! – nga Dashnor Kokonozi

spot_img


(Ide të dobishme për të ndihmuar në zgjedhjet e 11 majit)

Që jemi po aq transparentë sa edhe Pinoku, kjo tashmë është provuar, thotë në një numër të saj të fundit, The Indipendent. Nëse në realitet hunda nuk zgjatet sa herë që gënjejmë, përsëri gënjeshtra dhe pandershmëria shfaqen në fytyrën tonë.
Disa psikologë kanadezë kanë shpluhurosur arshivat televizive dhe kanë rishikuar me kujdes 52 dëshmitarë që flasin për humbjen e ndonjë të afërmi. Gjysma e tyre del të jenë gënjeshtarë të provuar sepse drejtësia ka nxjerrë fakte se janë ata vetë përgjegjës për zhdukjen e personave në fjalë. Gjysma tjetër ishin të sinqertë në dhimbjen që shprehnin.
Krahasimi që u bëhet të dy palëve flet në mënyrë mjaft të qartë.
Stresi që shkakton të gënjyerit para kamerave televizive për raste aq të rënda është i tillë sa ata nuk mund të matarojnë disa muskuj të fytyrës.
«Muskujt e hidhërimit» si fvj . «corrugator supercilii» i cili ndodhet pranë vetullës ose tjetri « anguli oris » në cepin e buzëve ishin më fort të kontraktuara te njerëzit e sinqertë.
Përkundrazi, te gënjeshtarët vërehet një kontraktim i lehtë i «frontalis» (në përpjekje të mbledhin vetullat), që interpretohet si një shenjë e një përpjekjeje të dështuar për t’u hequr si i trishtuar.
Pjesa e sipërme e fytyrës përpiqet të marrë pamje të hidhëruar por pjesa e poshtme e ka të pamundur të mos shfaqe një ndjenjë kënaqësie… Këtu është edhe problemi i tyre!
Gjithsesi, ky ishte lajmi i mirë që kisha. Ju e dini tani se ku duhet të përqëndoheni ku i shihni duke numëruar premtimet zgjedhore!
Lajmi i keq është se këto analiza kanë vlerë për personat që sapo kanë kryer një akt të caktuar, pra sapo kanë gënjyer. Kur ke 30 vjet që gënjen, kam frikë se nuk ka psikolog në botë që të kuptojë të vërtetën.
Më e vështirë bëhet kur kërkon të analizosh fytyra si ajo e z. Rama. Ai ka një mënyrë të veten interesante të të foluri. Ajo e tradhton vetëm kur nxehet e merr si pushka e jevgut, por kur flet normalisht tiparet e tij janë të mbyllura e të ngurta, por edhe pa shprehje të veçantë emocionale. Une nuk e kuptoj dot nëse e ka seriozisht apo tallet, gënjen apo thotë të vërtetën. Z. Berisha kam përshtypjen se është më trasparent sepse e shton disi dozën normale të entuziazmit të tij legjendar kur e di se po thotë gjëra të parealizueshme edhe pas 100 vjetësh!

Këtu është interesi që politikanët duhet të jenë të rinj e të lexueshëm nga ne nga të gjithë.

Latest articles

Related articles