Fytyra e shëmtuar e një pazari të ftohtë mes Ramës dhe Berishës!

spot_img

nga Ermal Peci

Ngjarja më e fundit në kampin opozitar, ku deputeti Ferdinant Xhaferri zgjodhi të thyejë heshtjen, kundrejt Sali Berishës është shumë më tepër sesa një reagim personal. Është një rrëfim që zbërthen të vërtetën e një marrëveshjeje të heshtur që ka tradhtuar besimin e demokratëve dhe ka shkatërruar edhe iluzionin e fundit për një opozitë që rri larg pazarëve por që është peng i marrëveshjeve okulte.

Deklaratat e tij, të forta dhe të drejtpërdrejta, akuzojnë Sali Berishën për një pazar të errët me Edi Ramën – një bashkëpunim të papranueshëm për vulën e Partisë Demokratike. Sipas tij, kjo marrëveshje ishte paralajmëruar prej kohësh në komunikimet e brendshme dhe shoqërohej me mesazhe se “vula do kalojë”, me ndihmën e kryeministrit. Një e vërtetë që ulërin dhe që gjithnjë e më shumë po dalin fakte, të cilat jo vetëm, po e mbështesin, por po na tregojnë që kemi përballë jo më një opozitë, por një teatër politik që i shërben interesave personale të një rrethi të vogël.

Ky rrëfim nuk është një ankesë për listat. Është një akt rebelimi ndaj deformimit të opozitës. Një denoncim që ekspozon mungesën e çdo programi për qytetarët, përqendrimin e vëmendjes tek halli personal i Berishës dhe Ilir Metës, ndërkohë që shoqëria përballet me kriza reale. Dje Xhaferri nuk foli vetëm për një humbje të pashmangshme më 11 maj, ai nuk parashikon thjesht një rezultat elektoral – ai dëshmon një rrënim moral të asaj që ata përfaqësojnë si parti opozitare.

Në politikë ekziston një e vërtetë e thjeshtë: kur e vërteta nuk thuhet në qendër, ajo shpërthen nga periferia. Dhe shpesh, ata që përjashtohen, janë ata që ndihen të lirë për të folur. Kësaj here, nuk është një kritik i jashtëm – por një zë nga brenda sistemit që nuk pranon të heshtë më.

Por edhe në këtë errësirë, ekziston një grupim njerëzish që kanë zgjedhur të mos bëhen pjesë e kësaj rrokade të turpshme, që nuk kanë bërë pazare dhe që nuk janë larguar nga përgjegjësia politike.

Një prej tyre është Lulzim Basha dhe Koalicioni Euroatlantik me një ekip me vlera të djathta por edhe me demokratë safi që nga vitet 90 deri më sot, të cilët vetëm si pasojë e këtyre pazareve u detyruan të garonin me një logo tjetër për ti dhënë një ofertë qytetarëve por edhe mbështetësve të tyre.

Për katër vite me radhë, Basha dhe ekipi i tij kanë qëndruar në opozitë pa lëkundje. Nuk ka tradhtuar asnjë kauzë, nuk ka bërë asnjë pazar në kurriz të demokratëve. Ata ka zgjedhur një rrugë të vështirë, por të drejtë: rrugën e ndershmërisë, të përballjes me sistemin dhe të ringritjes së një opozite që nuk ndërtohet mbi kultin e individit, por mbi parimet.

Në një kohë kur të tjerët bëjnë aleanca të fshehta për të shpëtuar veten, Basha ka qëndruar i palëkundur përballë pushtetit dhe pazareve. Ka ruajtur dinjitetin politik dhe ka mbajtur fjalën që u dha demokratëve dhe qytetarëve: se nuk do jetë kurrë pjesë e një teatri që ushqen Ramën dhe përdor demokratët si mburojë.

“Më mirë një opozitë e vogël, e ndershme dhe e vendosur, sesa një opozitë e madhe, e manipuluar dhe e përdorur.” Ky është realiteti sot. Dhe ky është edhe shansi për nesër.

Shqipëria ka nevojë për një opozitë të re. Jo në emër, por në thelb. Një opozitë që nuk frikësohet nga e vërteta, që nuk përdoret si mburojë për hallin e askujt, dhe që guxon të ndërtojë alternativën që vendi ka pritur për kaq gjatë.

E vërteta del gjithmonë, herë a vonë ajo del edhe koha është treguesi më I mirë i saj. Por shpresa lind nga ata që nuk janë dorëzuar kurrë, për të sjellë një alternativë dhe një gjuhë politike larg urrejtjes dhe polarizimit të shoqërisë.

Latest articles

Related articles