Romani “Shtatë dritaret”i Virion Graçit, një histori autentike

spot_img

Arben Iliazi

Kohët e fundit ka dalë në qarkullim romani “Shtatë dritaret”, i shkrimtari të njohur Virion Graçi, botim i Shtëpisë Botuese “Albas”. Nga këndvështrimi i
kënaqësisë që më dha kur e lexova, krijova bindjen se kemi të bëjmë me një roman ekzistencial, që rrëfen një histori autentike. Autori, në një gjëndje
ontologjike, rrëfen për vetëekzistencën dhe luftën për mbijetesë në një sistem të përçudnuar, të zhytur në psikoneuroza, me një urrejtje ekstreme
paranojake për njerëzit, ku më e pajetuar ishte jeta e njerëzve. Romani bën një “psikoterapi” të ekzistencës, në kushtet e kufizimit të lirisë
dhe absurditetit të diktaturës komuniste. Autori përshkruan copëzat e kujtimeve traumatike të tre brezave, si dhe përpjekjet njerëzore në përballje
me ekzistencën.Virion Graçi ka kaluar mjaft prova në letërsi, dhe mund të themi se shquhet për ndjeshmëri ndaj temave dhe fakteve ekzistenciale të jetës, ku janë vizatuar dhe përshkruar një galeri e tërë personazhesh, përballë dilemash
ekzistenciale, të mbijetur përballë mureve artificialë të pazakonshëm.Veprat e tij kanë në korpus konfliktin e përjetshëm midis lirisë individuale dhe miteve kolektive.

“Shtatë dritaret” është një roman modern, shkruar me një stil mimetik, ku autori i përdor simbolet si një mënyrë stenografike.Vepra është përqëndruar e tëri tek një dramë turbulluese e brendëshme, në
pamje të parë e palogjikshme: ndëshkimi dhe diskriminimi që regjimi komunist u impononte familjeve të etiketuara “armiq të popullit”. Ngjarja
zhvillohet pikërisht në një kontekst të tillë, në një fshat të thellë të jugut, ku dhe vetë drita e diellit bëhet e urryer. Autori ka krijuar një histori me personazhe prej mishi e gjaku, në një vend
të caktuar, ngjarje konkrete dhe në një epokë historike të caktuar.Veprimet e personazheve janë të çuditshme, nganjëherë të pa lidhura me
njëra – tjetrën, si në një ëndërr që pret të gjejë kuptim, falë rindërtimit të logjikës së saj të thellë, plot zhvendosje e dendësime, sipas logjikës së
mohim – pohimeve. Komponentët sintaksorë e semiotikë zënë një vend të saktë në vepër. Gjatë
gjithë zhvillimit të ngjarjeve kemi një sintaksë të funksioneve narrative, thënë ndryshe një formë të standartizuar të lidhjes së ngjarjeve, me idenë e
një semantike të thellë, pra me praninë e kuptimeve të thella, në marrëdhënie kundërshtie, që drejtojnë zhvillimin e vetë veprimeve. Përsa i
përket aspektit gjuhësor, mund të themi se kemi një glosemantikë, pra kemi të materializuar një teori gjuhësore thellësisht të formalizuar. Termat
gjuhësorë janë univokë dhe të ndërpërcaktuar.
Në gramatikën narrative të veprës dallojmë para së gjithash gjendjet, ku subjektet janë në lidhje ose ndarje me qëllimin e tyre, dhe shndërrimet të
cilat, nga të lidhura, kthehen në të ndara nga qëllimi dhe anasjelltas. Kuadrati semiotik shfaqet në nivelin më të thellë, si në fushën sintaksore, në
veprimet e mohimit dhe të pohimit, po ashtu edhe në fushën semantike, si sistem në rritje i çdo organizimi narrativ.Në universin semantik të romanit kemi të bëjmë me një model që përputhet
apriori me një realitet sociologjik e psikologjik, ku ndihet euforia për antonomazi dhe ku shoqëria e kohës shihet në një këndvështrim antropologjik. Megjithë ankthin ekzistencial që e përshkon fund e krye, “Shtatë dritaret” është një roman realist, me cezura narrative pothuajse të shfaqura, me një tekst shumë përshkrues. Strukturat e thella të përshkrimit përbëjnë bazën logjiko- semantike për veprimet narrative. Elementët e programit narrativ kanë marrëdhënie hierarkike brenda tyre, duke u grupuar në makrobashkësi, me një strukturim logjik të marrëdhënieve mes funksioneve.
Koha narrative tregohet forcërisht nga gjuha e pasur dhenarratori është homodiegjetik, pra i përfshirë në histori, dhe me funksion të dyfishtë, narrative dhe dëshmues, duke na dhënë një roman autobiografik e autentik, sa i perket zgjidhjeve narrative e konceptuale.

Latest articles

Related articles