Drejtuesi politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, në emisionin CONTEXT në ATV, deklaroi se, mbyllja e një të tretës së listave zgjedhore nga Rama dhe Berisha, ka përkeqësuar kushtet demokratike në Shqipëri. Sipas Bashës, ky veprim u ka hequr qytetarëve të drejtën për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre, duke i kthyer listat në “kazerma politike personale”.
“Zoti Rama dhe zoti Berisha, bashkuan votat dhe mbyllën plot, një të tretën e listave, duke krijuar kështu predispozitat për kazerma politike personale dhe duke i mohuar qytetarëve të Shqipërisë, që të zgjedhin ata dhe jo kryetarët e partive, se kush do të shkojë në Parlamentin e ardhshëm”, deklaroi Basha.
Ai tha se Edi Rama kërkon një mandat të katërt pavarësisht dështimeve, ndërsa Berisha po tenton të rikthejë figura të konsumuara, disa prej të cilëve janë të përfshirë në hetime penale.
“Edi Rama kërkon një mandat të katërt, pas dymbëdhjetë vjetësh, do dhe katër vjet të tjera, ndërkohë, që problemet janë të pafundme, që janë krijuar nga keqqeverisja, nga korrupsioni. Zoti Berisha, nga ana tjetër, po kërkon të riciklojë emra, që e kanë kryer ciklin e tyre politik, e ca janë edhe në cikël penal, pikërisht për shkak të korrupsionit, fshehjes së pasurisë, pastrimit të parave, siç është rasti i zotit Meta, ish-kryeministër, ish-president, aleati kryesor i zotit Berisha”, tha ai.
Sipas Bashës, Koalicioni Euroatlantik është alternativa që i jep fund kësaj loje të vjetër dhe i kthen qytetarëve shpresën për të ardhmen.
“Koalicioni Euroatlantik është aty si zgjidhje, si alternativë. E kemi paraqitur programin tonë që nga 1 qershori i vitit të kaluar, me një ekip të hapur e dinjitoz dhe jemi çdo ditë me qytetarët, për t’ju shpjeguar, se si vota për numrin katër i bën ballë kësaj loje. Nëse ju dhimbsen fëmijët tuaj, familjet tuaja, nëse ju dhimbset Shqipëria, atëherë zgjidhjen e keni: Koalicioni Euroatlantik, numri katër”, deklaroi Basha.