Nga Prof. Taulanda Jupi
Shqipëria jonë është një vend me tokë pjellore, klimë të përshtatshme dhe njerëz punëtorë që dinë të prodhojnë me cilësi dhe krenari. Por bujqësia shqiptare sot është e rrënuar. Jo nga mungesa e mundësive, por nga mungesa e vullnetit politik. Ajo është lënë në harresë, në mëshirën e tregut të pandershëm dhe interesave të ngushta të atyre që pasurohen nga importi.
Fermeri shqiptar nuk është thjesht i pambrojtur. Ai është sistematikisht i braktisur. Përballë produkteve të importit që mbështeten me miliarda euro subvencione nga shtetet e tyre, prodhimi ynë bujqësor nuk ka asnjë mundësi konkurrimi. Çdo ditë, fermeri sheh si mundi i tij zhvlerësohet, si tregu i mbyllet dhe si djersa i shkon dëm. Ai nuk ka garanci, nuk ka akses në treg, nuk ka mbështetje. Ky nuk është treg i lirë.
Në vend që shteti të qëndrojë përkrah fermerit, e pengon. Në vend që ta ndihmojë të arrijë konsumatorin, ia mbyll rrugët. Në vend që të krijojë tregje publike për shitjen e prodhimeve, lejon që supermarketet dhe monopolet e importit të dominojnë. Dhe ndërkohë që produktet e huaja të subvencionuara pushtojnë tregun, fermeri shqiptar përndiqet nga policia bashkiake kur përpiqet të shesë prodhimin e vet në rrugë.
Ky nuk është dështim i sistemit. Ky është sistem qëllimisht i dhunshëm ndaj fermerit. Shqipëria po braktis qëllimisht fermerin. Dhe me të, po braktis edhe fshatin, punësimin, vetë identitetin kombëtar. Ky është një akt i rëndë neglizhence që duhet ndalur menjëherë.
Nuk ka asnjë arsye pse Shqipëria të mos mbrojë prodhimin e vet, ashtu siç bëjnë të gjitha shtetet që mendojnë për të ardhmen e tyre. Mbrojtja e fermerit shqiptar është detyrim i shtetit. Është detyrë kombëtare. Nuk ka më vend për retorikë. Ka vetëm nevojë për veprim të qartë: me politika fiskale favorizuese, me subvencione direkte për prodhimin vendas, me garantim tregu dhe kushte dinjitoze pune.
Fermeri shqiptar nuk kërkon favore. Ai kërkon të njëjtat mundësi që kanë fermerët në çdo vend tjetër: të prodhojë, të shesë, të jetojë me dinjitet nga toka dhe duart e tij.
Nëse Shqipëria nuk e mbron sot fermerin e saj, nesër nuk do të ketë as fshat, as ekonomi prodhuese, as ushqim vendas, as qëndrueshmëri kombëtare. Do të ketë një vend bosh, të varur dhe të përulur para importit dhe varfërisë.
Unë besoj te puna. Te dinjiteti i atyre që e mbajnë këtë vend gjallë çdo ditë. Dhe nuk do të resht së thëni: Shqipëria ka nevojë për një politikë të re, të guximshme, të ndershme dhe të vendosur, që mbron fermerin, fuqizon prodhimin dhe i jep jetës rurale dinjitetin që i takon.
Koha e justifikimeve ka mbaruar. Tani është koha e veprimit të vendosur në mbrojtje të fermerëve tanë. Tani është koha për fermerin shqiptar.