Nga Dajlan Avdiaj te Dulakët e Fatmir Hanxhari. Rame firmos lejet për 24 kulla

spot_img

Lumenjtë e betonit në kryeqytet nuk kanë ndër mend të ndalen, teksa qeveria miraton në seri kulla të reja. Por tashmë epidemia është zgjeruar përtej Tiranës dhe ka përfshirë edhe qytetin bregdetar të Vlorës, ku gjithmonë e më shumë po jepen leje për kulla të larta.

Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit miratoi në dy mbledhjet e fundit, në shkurt dhe mars, lejet e ndërtimit ose zhvillimit për 16 kulla të lartë në Tiranë dhe 8 të tjera në Vlorë. Lartësia e kullave varion nga 20 deri në gati 50 kate.

Sipas dokumentave të publikuar nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit, në kryeqytet janë miratuar lejet e ndërtimit për kullën 26 kate Im Rezidence të Dajlan Avdisë, atë 34 kate tek Bulevardi i Ri që ndërtohet nga Lulzim Mehmetaj dhe Oberon Tower e Orges Kushit.

Po kështu është miratuar leje e ndërtimit për rezidencën Sima Tower, objektin Guri Tower, një kullë 21 kate në rrugën e Shkodrës që do të ndërtohet nga kompania Xhajs Tirana.

Dulakët, Hanxhari, Bami..

Dulakët kanë marrë lejen e ndërtimit për një godinë multifunksionale deri në 31 kate në rrugën 29 nëntori, ndërsa Fatmir Hanxharit i është miratuar në kohë rekord leja e ndërtimit për 47 katëshin tek Ambasada Amerikane. Leja e zhvillimit për kullën e lartë ishte miratuar vetëm dy muaj më parë.

Në rrugën Teodor Keko do të ngrihet “Great Ring Rock”, një kullë 32 kate me tre kompani ndërtuese, ndërsa në Komunën e Parisit është miratuar leja e ndërtimit për një 35 katësh nga shoqëria Sara El e Luan Bregasit.

Bami Holding ka marrë lejen e ndërtimit për Barcelona Tower, 35 katëshin që do të ndërtohet ngjitur me ish Sigurimin e Shtetit, ndërkohë që janë miratuar dhe lejet për Sunrise Tower me 35 kate dhe Split Tower që përfshin dy kulla me 22 dhe 23 kate.

Vlora

Mahnia e përbindëshave të lartë të betonit tashmë ka prekur dhe qytetin bregdetar të Vlorës. Gjatë dy mbledhjeve të fundit, KKTU ka miratuar lejet për kullën 21 kate Flatiron of Vlora, kullën Salterra me 24 kate dhe një tjetër 28 katësh për shoqërinë Adriatik Center.

Kollozët e Vlorës kanë marrë lejen e ndërtimit për një kompleks turistik me objekte deri në 14 kate, ndërsa Regina Group e Vasil Bedinit ka marrë lejen për një kompleks me 11 dhe 13 kate në rrugën Zenel Murra.

Veç lejeve të shumta në Tiranë dhe Vlorë, KKTU ka miratuar lejen e ndërtimit edhe për resortin Dukagjini që ndërtohet nga Ekrem LLuka si dhe një resort të ri me emrin Golden Sand në Baks Rrjoll që ndërtohet nga Nikolin Jaka.

Paralelisht KKT ka miratuar lejen e ndërtimit për termocentralin që do të ndërtohet në Roskovec nga Terna dhe Gener 2 si dhe parkun diellor të Spitallës për francezët e Voltalias.

Latest articles

Related articles