Problemet dentare tek fëmijët janë një nga shqetësimet më të zakonshme që mund të hasen gjatë zhvillimit të tyre. Ushqimet e pasura me sheqerna dhe yndyrna dhe mungesa e higjienës së duhur janë ndër shkaktarët kryesor të prishjes së dhëmbëve tek fëmijët.
“Ata hanë ushqime të buta, të cilat kanë një përmbajtje të lartë të sheqernave, dhe ushqimet, të cilat do të ndikojnë në mënyrë direkte tek ngjitja tek dhëmbët. Duke qenë se fëmijët janë të vegjël dhe e kanë të vështirë të përdorin furcën atëherë këto ngelen për një kohë shumë të gjatë aty duke shkatërruar strukturën e dhëmbit”, thotë mjekja stomatologe Enisa Roshanji.
Nëpërmjet programit të depistimit, i cili synon të identifikojë dhe trajtojë në kohë problematikat dentare, shumë fëmijë të arsimit të ulët dhe të mesëm, marrin shërbime dentare falas që prej vitit 2022.
“Japin shërbimin 64 stomatolog, ndër të cilët 53 në arsimin bazë dhe 11 në arsimin e mësëm. Në bazë të depistimit të tyre konstatohen problematika që nxënësit kanë, plotësohen kartelat dhe njoftohen prindërit për shërbimet që nxënësit duhet të marrin”, sqaroi mjekja.
Muaji mars është edhe muaji i ndërgjegjësimit për kujdesin ndaj shëndetit oral, ndërsa mjekët apelojnë për më shumë kujdes të shtuar dhe kontrolle periodike.