20% e fëmijëve preken nga alergjitë sezonale, mjekët apel prindërve për trajtim në kohë

spot_img

Me ardhjen e pranverës 20% e fëmijëve pritet të përballen me fenomene alergjike sezonale, të cilat sipas mjekëve dekadat e fundit janë rritur ndjeshëm.

“1 në 5 fëmijë mund të manifestojë fenomene alergjike kryesisht të karakterit sezonal. Me hyrjen e sezonit pranveror pritshmëritë janë që të ballafaqohemi me raste te reja dhe të përsëritura të fenomeneve alergjike. E llogaritur ndryshe , rreth 20% e fëmijëve që bëjnë një manifestim alergjik është e konsiderueshme”, u shpreh Irena Kasmi, Pneomopediatre në QSUT.

Ngrohja globale fajësohet si faktor kryesor i zgjatjes së sezonit të alergjive.

“Kemi një zgjatje të sezonit të alergjive në kontekstin e ngrohjes globale që shkon nga muaji marsi deri ne muajin tetor”, tha ajo.

Format e buta dhe të mesme të alergjisë zënë peshën kryesore e që trajtohen nga mjekët e qendrave shëndetësore.

“Manifestimet e buta shoqërohen me bllokime të hundëve, me teshtima, vështirësi në frymëmarrje në lidhje me hundën dhe rrugët e sipërme të frymëmarrjes, me kruarje të syve, shenja të konjunktivitit”, shtoi mjekja.

Por një pjesë përfundojnë në spital më kriza të forta alergjike që kërkojnë trajtim.

“Fëmijët që paraqiten këtu në urgjencë dhe kanë nevojë për trajtim spitalor paraqesin simptoma më të rënda si p.sh. vështirësi në frymëmarrje, në të folur, desaturim të oksigjenit, prezantojnë kriza të rëndësishme të astmës. Moshat më të prekura janë nga 7-12 vjeç”, u shpreh Kasmi.

Për shkak të alergjisë këta fëmijë afektohen edhe emocionalisht.

“Pasojat nuk janë thjesht fizike. Përjetojnë shqetësime të mos frekuentimit korrekt të shkollës”, tha mjekja.

Mjekët apelojnë për parandalim të përkeqësimit të sëmundjes duke mos i ekspozuar fëmijët në ambiente të jashtme në mëngjes dhe darkë dhe duke mbajtur higjienë të lartë në kushte shtëpiake.

Latest articles

Related articles