Një grerëz parazitare e sapoidentifikuar, që gumëzhinte dhe fluturonte mes dinozaurëve 99 milionë vjet më parë, evoluoi një mekanizëm të çuditshëm për të kapur krijesat e tjera dhe për t’i detyruar ato të strehojnë padashur të vegjlit e saj, sipas një studimi të ri, njofton CNN.
Paleontologët studiuan 16 ekzemplarë të grerëzës së vogël të ruajtur në qelibar që datojnë që nga periudha e Kretakut që më parë ishte zbuluar në Mianmar.
Lloji i panjohur më parë, tani i quajtur Sirenobethylus charybdis, kishte një strukturë të ngjashme me mizën e Venusit në bark që mund ta kishte lejuar atë të kapte insekte të tjera, raportuan studiuesit në revistën ”BMC Biology”.
“Kur pashë ekzemplarin e parë, vura re këtë zgjerim në majë të barkut dhe mendova se duhet të jetë një flluskë ajri. Është shumë shpesh që shihni flluska ajri rreth ekzemplarëve në qelibar”, tha bashkautori i studimit Lars Vilhelmsen, një ekspert i grerëzave dhe kurator në Muzeun e Historisë Natyrore të Danimarkës.
“Por, më pas pashë disa ekzemplarë të tjerë dhe më pas u ktheva te i pari. Kjo ishte në fakt pjesë e kafshës”, shtoi ai.
Vilhelmsen dhe kolegët e tij nga ”Capital Normal University” në Pekin përcaktuan se struktura ishte e lëvizshme sepse ruhej në pozicione të ndryshme në ekzemplarë të ndryshëm.
Krahasimi më i afërt që gjendet sot në natyrë është kurthi i mizave të Venusit, një bimë mishngrënëse me gjethe të varura që mbyllen kur gjahu futet brenda, sipas studimit të ri.
“Nuk ka asnjë mënyrë që të dini se si jetonte një insekt që ngordhi 100 milionë vjet më parë. Kështu që ju kërkoni analoge në faunën moderne të insekteve. A kemi ndonjë gjë midis grerëzave apo grupeve të tjera që duket kështu?”, tha ai.
“Dhe nuk ka asnjë analog të vërtetë brenda insekteve. Na u desh të shkonim deri në fund nga mbretëria e kafshëve në mbretërinë e bimëve për të gjetur diçka që i ngjante nga distanca kësaj”, theksoi Vilmhalsen.
Megjithatë, studiuesit arsyetuan se grerëza me siguri nuk kishte ndërmend të vriste me strukturën e çuditshme të kapjes.
Në vend të kësaj, ata teorizuan se grerëza injektoi vezë në trupin e bllokuar përpara se ta lëshonte atë, duke e përdorur krijesën si një mikpritës të padashur për vezët e saj.
”Larvat e saj më pas filluan jetën e tyre si parazitë në ose në trupin e pritësit dhe me gjasë përfunduan duke e ngrënë plotësisht bujtësin”, tha Vilhelmsen.
Fosilet e qelibarit ofrojnë një vështrim tërheqës, tredimensional në të kaluarën e largët.
Përveç bimëve dhe luleve, një bisht dinosauri, një gaforre, një milingonë, një merimangë dhe të vegjlit e saj dhe një xixëllonjë janë gjetur ”të varrosura” në rrëshirë pishe.
”Një i pasionuar fosilesh bleu qelibarin që përmbante Sirenobethylus charybdis, i cili erdhi nga rajoni Kachin i Mianmarit pranë kufirit me Kinën, disa vite më parë dhe ia dhuroi atë laboratorit kyç të evolucionit të insekteve dhe ndryshimeve mjedisore të universitetit kinez, në vitin 2016”, thanë autorët.
Fosilet e qelibarit kanë qenë disa nga gjetjet më emocionuese të paleontologjisë në vitet e fundit, por shqetësimet etike në lidhje me origjinën e qelibarit nga rajoni janë shfaqur, me disa paleontologë që bëjnë thirrje për një moratorium mbi kërkimin mbi qelibarin me burim nga Mianmari, pas një grushti ushtarak shteti të vitit 2021.