Dy gazetarë nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN) u vunë në shënjestër në një përpjekje të dështuar spiunimi duke përdorur softuerin izraelit Pegasus.
Më 14 shkurt 2025, dy gazetarë të BIRN morën mesazhe të dyshimta nëpërmjet aplikacionit Viber. Mesazhet vinin nga i njëjti numër telefoni – +381659940263, të regjistruar në operatorin Telekom Srbija, dhe përmbanin tekst në serbisht dhe lidhje potencialisht të rrezikshme.
Të dyja përpjekjet për të dërguar spyware u bënë me më pak se një orë diferencë, raporton BIRN.
Një nga gazetarët, i cili dëshiron të mbetet anonim, tha se mesazhi dukej si një përpjekje për të marrë informacion.
“Mesazhi u turbullua nga vetë aplikacioni, si një mekanizëm sigurie i Viberit. Nuk guxova të bëja asgjë që do ta lejonte instalimin. Nuk e di se çfarë shkruante, por shihej se ishte shkruar në dy rreshta me shkronja të bardha, dhe më pas në dy rreshta me shkronja blu – një lloj lidhjeje”, thotë Jelena Veljkoviç, duke shtuar se nga mesazhi i kishte bllokuar menjëherë numrin.
Pak më vonë, thotë ajo, ka parë në grupin editorial që një koleg tjetër kishte marrë një mesazh nga i njëjti numër afërsisht në të njëjtën kohë.
BIRN, pasi dyshoi për një tentativë spiunazhi, kërkoi ndihmë nga laboratori i sigurisë së Amnesty International. Analiza e tyre mjeko-ligjore konfirmoi se gazetarët ishin objektiva të një përpjekjeje të dështuar për të instaluar spyware Pegasus, të zhvilluar nga kompania izraelite NSO Group.
“Ne zbuluam se mesazhet me tekst përmbanin lidhje me një domen interneti në gjuhën serbe, për të cilin mund të themi me një shkallë të lartë sigurie është i lidhur me programin spyware Pegasus të NSO Group,” tha Donna O’Carroll, drejtore e laboratorit të sigurisë së Amnesty International.
Kur studiuesit hapën lidhjen në një mjedis të kontrolluar, ajo u ridrejtua në një faqe të rreme të televizionit N1.
Ekspertët e Amnistisë vënë në dukje se një nga përpjekjet e mëparshme për një sulm “me një klikim” të Pegasus, i cili synonte një nga udhëheqësit e protestës në Serbi në korrik 2023, u ridrejtua gjithashtu në të njëjtin sajt mediatik.