PD duket se e ka shtyllë qendrore të programit të saj për drejtësinë ndryshimin e reformës, duke përfshirë edhe ndryshime në Kushtetutë. Kështu deklaroi sot kryetari Sali Berisha, i cili, gjatë një tryeze me specialistë pranë PD-së, përsëriti qëndrimet e tij për dështimin e reformës, ndërhyrjen përmes Komisionit të Venecias dhe rëndësinë e zëvendësimit të SPAK me një strukturë tjetër që, sipas tij, do të respektojë drejtësinë e cenuar nga SPAK. Ai kritikoi strukturën aktuale, duke përmendur faktin se kjo e fundit ka marrë të pandehur tre liderët e opozitës: atë vetë, Ilir Metën dhe Fatmir Mediun.
Berisha nuk kurseu akuzat ndaj SPAK, duke e akuzuar për ndërhyrje në sistemin e gjykatave. I shqetësuar për përgjimet që mund t’u jenë bërë gjyqtarëve të ndryshëm, ai deklaroi me revoltë se përgjimet përdoren si mjet shantazhi dhe pretendoi se disa prej tyre kanë përfunduar edhe në telefonin e tij.
PD-ja e Sali Berishës nuk e ka fshehur asnjëherë publikisht dëshirën dhe vullnetin për të zhbërë reformën në drejtësi, madje edhe për të shpërbërë Strukturën e Posaçme të Hetimit (SPAK). Sipas drejtuesve të saj, në këtë takim u kërkua edhe hetimi i sondazheve që tregojnë mbështetje të lartë të publikut për SPAK, pasi ato janë cilësuar si të manipuluara. Takimi i sotëm vulosi zyrtarisht qëndrimin e PD-së dhe të Sali Berishës për të nisur dhe realizuar ndryshimet në reformën në drejtësi, duke përfshirë edhe Kushtetutën, në rast se vijnë në pushtet.