Më 29 nëntor, një ngarkesë me mandarina të prodhuara në Shqipëri u ndalua në Kroaci pasi analizat treguan përmbajtje të Chlorpyrifos – një pesticid i ndaluar nga Bashkimi Europian që në vitin 2020.
Rasti u bë i njohur nga RASFF – Sistemi i Alarmit të Shpejtë për Ushqimin, një rrjet që lehtëson shkëmbimin e informacionit mes vendeve anëtare të BE-së për çështje që lidhen me sigurinë ushqimore.
Të dhënat e mbledhura nga BIRN dhe intervista me ekspertë, dëshmojnë se qeveria neglizhoi për mungesë kapacitetesh njerëzore dhe paqartësi ligjore monitorimin e vazhdueshëm dhe në kohë, të përdorimit të pesticideve duke çuar në tregtim të produkteve bujqësore mbi normat e lejuara.
Autoritetet gjithashtu mbyllën një sy ndaj përdorimit nga fermerët të pesticideve të rrezikshme, të ndaluara prej vitesh në vendet e BE-së, duke ngritur shqetësime për sigurinë ushqimore dhe cilësinë e eksporteve shqiptare.
Ministria e Bujqësisë pranoi në përgjigje të një kërkesë për informim se vetëm gjatë vitit 2024 janë konstatuar nga analizat laboratorike në fruta perime 7 pesticidet të ndaluara si; ”chlorpyriphos, chlorfenapyr, chlorpyriphos methyl, linuron, dimethoate, myclobutanil dhe omethoate”.
Përfaqësues të laboratorëve privatë i thanë BIRN se kanë konstatuar shumë raste të Produkteve të Mbrojtjes së Bimëve (PMB) të ndaluara në analizat e tyre.
“Në Shqipëri qarkullojnë rreh 35 pesticide të ndaluara,” i tha BIRN Sokol Abazi, kimist dhe konsulent pranë laboratorit Tenius, duke iu referuar gjetjeve të analizave të këtij laboratori vetëm gjatë vitit 2024.