Hajdutët e dy çetave zgërdhihen me Lulzim Bashën

spot_img

Mordecai

Hajdutët e dy shpellave të mëdha, edhe disa prej shpellave të vogla, po zgërdhihen tani me Lulzim Bashën, thjesht se ai nuk di të vjedhë.

Njëra çetë i vete pas syskuqur hajdutit më të gjatë, ndërsa çeta e dytë ndjek symbullur gjurmët e hajdutit më të moçëm.

Zgërdhihen hajdutët e dy çetave me Lulzim Bashën, që mbështet SPAK-un dhe kërkon pastrimin e politikës nga vjetërsirat dhe abuzuesit e pushtetit.

Ai nuk u thirr kurrë nga SPAK-u për abuzime dhe është i vetmi, që po mbështet pronarët dhe ish të përndjekurit politikë në përpjekjet e tyre për drejtësi.

Zgërdhihen dy shpellat e hajdutëve me Lulzim Bashën, se kërkon vetingun e politikës, dhe që ky proces të nisë nga ai së pari.

Gjithë inatin e kanë me gjumin e tij të qetë, ndërsa gjumi i tyre është arratisur nga stresi i shkeljeve ligjore, dhe nga frika se mos u merr SPAK-u celularin.

Zgërdhihen dy çetat e hajdutëve me Lulzim Bashën, se ky nuk e ka provuar adrealinën e hajnisë, ankthin e vjedhjes, qejfin e ndarjes së plaçkës, frikën e arrestit.

Atij deri tani nuk i ka dalë askush t’i thotë hajdut, edhe pse ka kryer disa detyra të rëndësishme shtetërore me buxhete shumëmilionëshe nëpër duar.

Zgërdhihen hajdutët e dy shpellave me Lulzim Bashën, se ai kurrë nuk diti si të grabiste lulishte e parqe sportive për t’i mbushur me pallate.

Nga 2005 në 2007 si ministër transporti, ndërtoi autostradën dhe tunelin e Kukësit, dhe kur e akuzuan për abuzime, ai vet kërkoi t’i hiqej imuniteti për hetime të thelluara.

Zgërdhihen me të hajdutët e dy çetave, se si arrin Lulzim Basha të punojë pa vjedhur; një gjë krejt e pamundur për instinktet e tyre gllabëruese.

I gatshëm të hetohet për 21 janarin, për lobingjet, etj., ai është pa asnjë lidhje me Gërdecin, as me skandalet korruptive të 20 viteve të fundit, kur hyri në politikë.

Zgërdhihen hajdutët e dy shpellave me Lulzim Bashën, se ai mbrojti sa mundi Tiranën historike dhe nuk shkatërroi Teatrin Kombëtar.

Nga viti 2007 në 2009 ishte ministri i jashtëm teksa Shqipëria u bë anëtare e NATO-s dhe aplikoi për anëtarësim të plotë në BE.

Zgërdhihen me të hajdutët e dy çetave, se ai nuk u vuri gjoba bizneseve dhe t’ua mblidhte atyre pas mesnate me thasë të zinj në bagazh të makinës, si ndonjë tjetër.

Nga viti 2009, si ministër i brendshëm, ai pajisi gjithë shqiptarët me pasaporta biometrike dhe në 2010 ua hoqi shqiptarëve vizat e zonës Shengen.

Zgërdhihen me të hajdutët e dy shpellave, se ai nuk krijoi kompani si 5D-ja për të vjedhur taksat, as nuk bleu vota, as shantazhoi administratën.

Në 2011 u zgjodh kryetar i bashkisë së Tiranës dhe, për herë të parë nga koha e diktaturës, ai e bëri kryeqytetin me një plan të përgjithshëm urbanistik.

Zgërdhihen me të hajdutët e dy çetave, se ai nuk diti të ngrejë inceneratorë imagjinarë për të vjedhur paratë e shqiptarëve, gjoja duke djegur mbetjet urbane.

Lulzim Basha pakësoi në minimum lejet e ndërtimit dhe e bëri kryeqytetin të pastër dhe të jetueshëm si asnjëherë më parë.

Oferta e dy shpellave edhe sivjet është si të zgjedhim të keqen më të vogël; ose një hajdut të madh ose një hajdut edhe më të madh.

Ndërsa dy çetat e hajdutëve po presin radhën për në SPAK, është çasti për t’u menduar që së paku të zgjidhet nga qytetarët dikush si Lulzim Basha, që nuk di dhe nuk do që të vjedhë.

Aftësia për punë dhe paaftësia për të vjedhur janë cilësi të rralla midis politikanëve sot në Shqipëri, teksa ujqit e dy shpellave, të paprekshëm deri dje, po i skërmitin dhëmbët drejtësisë, që po u afrohet.

Tani më shumë se kurrë, në këtë kulm të krizës politike, morale dhe ekonomike, është koha që të zgjidhen në pushtet njerëz, që nuk dinë e nuk duan të bëjnë akte kriminale pas shpinës së qytetarëve.

Latest articles

Related articles