Reflektime mbi kontratën sociale dhe çiçikovët

spot_img

Nga Mirela Papuçiu

Po lexoja Rousseau “Du contrat social” i cili na thotë ( po e përkthej): “Ashtu si bariu ka një natyrë më të lartë se ajo e kopesë së tij, edhe barinjtë e njerëzve, që janë krerët e tyre, kanë një natyrë më të epërme se ajo e popujve të tyre. Kështu arsyetonte, sipas Filonit, perandori Kaligula, duke nxjerrë mjaft mirë nga kjo analogji përfundimin se mbretërit ishin perëndi ose se popujt ishin kafshë.
Arsyetimi i Kaligulës është i njëjtë me atë të Hobbes dhe Grotius. Aristoteli, para tyre, kishte thënë gjithashtu se njerëzit nuk janë të barabartë nga natyra, por se disa lindin për skllavëri dhe të tjerët për sundim.
Aristoteli kishte të drejtë, por ai e ngatërronte pasojën me shkakun. Çdo njeri i lindur në skllavëri, lind për skllavëri, dhe asgjë nuk është më e sigurt se kjo. Skllevërit humbasin gjithçka në prangat e tyre, madje edhe dëshirën për t’u çliruar: ata e duan robërinë e tyre, ashtu si shokët e Uliksit donin marrëzinë e tyre.
Nëse, pra, ka skllevër nga natyra, kjo ndodh sepse më parë ka pasur skllevër kundër natyrës. Forca krijoi skllevërit e parë, ndërsa frika dhe lëshimi i tyre i bëri ata të përjetshëm.”
Ky pasazh nga Kontrata Sociale e Rousseau-së, fjalia e fundit, sidomos, mund të lidhet drejtpërdrejt me situatën te ne, në aspektin e qeverisjes autoritare, mungesës së ushtrimit të së drejtës prej qytetarëve në mënyrë të njëmendtë dhe prirjes së një pjese dërrmuese për të pranuar pabarazinë si një gjendje të natyrshme.
Rousseau kritikon idenë se disa njerëz lindin për të sunduar dhe të tjerët për të qenë të nënshtruar, duke argumentuar se skllavëria është një produkt i forcës dhe më pas i nënshtrimit të vazhdueshëm. A nuk mund ta shohim këtë ashiqare në mënyrën se si një elitë e privilegjuar ruan sot pushtetin jo përmes një kontrate të drejtë shoqërore, por përmes kontrollit mbi institucionet dhe dobësimit të reagimit qytetar që e mban aktiv me kërcënimin e vendit të punës, pra të bukës së gojës apo të lënies në harresë totale të atyre për të cilët ka përgjegjësi?
Duket se e kemi pranuar në mënyrë pasive këtë pabarazi, duke u përshtatur me një sistem ku korrupsioni, klientelizmi dhe mungesa e meritokracisë janë bërë normë. Ashtu siç thotë Rousseau për skllevërit që “humbasin gjithçka në prangat e tyre, madje edhe dëshirën për t’u çliruar”, skllevërit e kohëve moderne ndonjëherë qëndrojnë lidhur pa pranga, kaq shumë është përhapur mentaliteti i nënshtrimit ku kryetari dogëndis me lloj-lloj epitetesh dhe përballë tij sheh fytyra të ngazëllyera që duket se kanë humbur çdo dinjitet në rrotullimin reverent rreth “Diellit” të tyre, si lodrat kineze me kurdisje. Duket që fundi është cekur kur sheh këtë dorëheqje dhe mosbesim te mundësia për ndryshim.
Megjithatë, Rousseau sugjeron se një popull ka të drejtën të rrëzojë zgjedhën e padrejtë sapo të ketë fuqinë ta bëjë këtë.

Shqipëri, ndryshimi i vërtetë mund të vijë vetëm nëse qytetarët rivendosin një kontratë të re shoqërore, duke kërkuar qeverisje të drejtë, llogaridhënie dhe pjesëmarrje të barabartë në jetën politike. I dimë këto dhe të tjera si këto. Edhe njerëzit jo se kanë hequr vërtetë dorë, në thelb. Por, “ATA” – oferta politike nuk kanë gjetur si të bëhen të besueshëm se të gjithëve na rrënqethet mishi kur mendojmë se një tjetër i ri, po aq i flaktë e i angazhuar sa Veliaj mund ta zëvendësojë dhe të shtojë racën e përbindshave me fytyrë dhe zë të butë, por akoma dhe më të vjetëruar, mizorë e të kalbur se bijtë e etërve që na qeverisën këto 35 vjet.
Po si bëhesh i besueshëm? Kjo ha ca punë. Vështirë se bëhesh sot me nesër. Kjo do ca qëndrueshmëri, ca pavarësi nga nomenklaturat, ca mend që i kanë dhënë ata para nesh e që i ke lëçitur e rrahur me veten, ca shpirt që nuk blihet, ca vlera që nuk shiten dhe të mbash rreth vetes ca të tjerë që e mendojnë si ty. Ca pak si këto dhe nuk po flas ende për idealizëm, por për përgjegjshmëri, fjalë që ne edhe pak e do e heqim nga fjalori aq e padobishme e pavlefshme është shndërruar ajo në psikenë tonë kolektive.
I besueshëm je edhe kur bashkë me veten ti lufton të ngresh moralisht dhe intelektualisht gjithë ata që ke rreth e rrotull dhe kur sheh më larg se hunda jote. Të gjitha këto njerëzit i kuptojnë në i ke apo jo, pavarësisht se çfarë thua dhe dallimi është fryma.
Po më kujtohet tani “Frymë të vdekura” të Gogol ku Çiçikovi, një mashtrues që udhëton nëpër provincat ruse blen “shpirtra të vdekur”, fshatarë, skllevër që figurojnë ende në regjistrat shtetërorë si të gjallë, edhe pse në realitet kanë vdekur, si garanci për të marrë kredi dhe për t’u pasuruar. Shembull si burokracia dhe korrupsioni të rrënjosura thellë lejojnë individë të paskrupullt të përfitojnë nga zbrazëtirat e sistemit. Sistemi ynë është i zbrazët vërtet, por Rousseau thotë ” Më i forti nuk është kurrë mjaftueshëm i fortë për të sunduar gjithmonë, nëse nuk e shndërron forcën e tij në të drejtë dhe bindjen në detyrë.” E drejta dhe detyra janë të vetmet transaksione për pushtet, por kujdes nga Çiçikovët, këta falsifikatorë të kualifikuar diskursesh.

Latest articles

Related articles