Drejtuesi i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, ka zhvilluar një takim me strukturat e Degës 2 në kryeqytet, ku prezantoi pjesë të rëndësishme të programit të forcës së tij politike për zgjedhjet e 11 majit. I shoqëruar nga kandidatët për deputetë Nevila Nika, Rudi Erebara dhe Fatos Brahja, Basha theksoi rëndësinë e një alternative që përfaqëson ndryshimin e vërtetë, duke vënë në qendër vlerat njerëzore, profesionalizmin dhe angazhimin qytetar, për një politikë me fytyrë njerëzore.

Në fjalën e tij, Basha shpjegoi tri pika kyçe të programit të tij: çështjen e pronës, dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë dhe mbështetjen për familjen shqiptare, si pjesë e angazhimit për një Shqipëri më të drejtë dhe një shtresë të mesme të fortë.
Familja në qendër të programit

Sipas Bashës, familja shqiptare ndodhet në një udhëkryq për shkak të keqqeverisjes dhe korrupsionit. Për këtë arsye, Demokratët Euroatlantikë kanë propozuar një fond për mirëqenien e familjes, i cili do të mundësojë:
• 2,000 euro për çdo bebe dhe 20,000 euro për fëmijën e tretë
• Mbulim i plotë i interesit të kredisë së banesës për 30,000 çifte të reja
• Rritje të pensioneve me të paktën 20% dhe indeksim mbi inflacionin
• Bonus 250,000 lekë për pensionet e ulëta dhe dyfishim të ndihmës ekonomike
• Pagesa për personat me aftësi të kufizuara në 70% të pagës minimale
• Zgjerim i statusit të jetimit për ata që kanë humbur njërin prind
• 5 milionë euro grant për 1,000 biznese të reja nga gratë sipërmarrëse
• Mbështetje për bizneset që punësojnë gra dhe vajza, si dhe për punët artizanale e bujqësinë
Sipas tij, Shqipëria ka potencialin të jetë një vend me punësim dhe paga të larta, duke krijuar më shumë mundësi për të gjithë qytetarët.

Zgjidhja përfundimtare e çështjes së pronës: “Obligacionet e pronarëve”
Basha prezantoi një plan për të garantuar sigurinë e pronësisë dhe kthimin e pronave te pronarët e ligjshëm, duke e krahasuar këtë reformë me praktikat e Kroacisë dhe Çekisë. Ai propozoi një instrument financiar të ngjashëm me bonot e thesarit, që do të kompensojë pronarët për pronat e humbura ose të tjetërsuara.
• Kthimi i pronave dhe kompensimi financiar – Pronarët që nuk mund t’i marrin fizikisht pronat do të kompensohen për vlerën e plotë të tregut përmes obligacioneve shtetërore.
• Njohja ligjore e pronës – Do të bëhet një regjistrim i plotë për të shmangur konfliktet mes pronarëve të vjetër dhe përfituesve të Ligjit 7501.
• Futja e pronës si kolateral në ekonomi – Pronarët do të mund të përdorin pronën për kredi bankare, investime dhe zhvillim ekonomik.
• Zgjidhje për ndërtimet informale – Bëhet menjëherë fotografimi i gjendjes dhe kompensimi i pronarëve për tokat e zëna.
Sipas Bashës, ky reformim do t’i japë fund pasigurisë mbi pronësinë dhe do të ndihmojë në krijimin e një shtrese të mesme të fortë, duke nxitur zhvillimin ekonomik të vendit.
Angazhimi për të përndjekurit politikë: “Një borxh moral dhe material që duhet shlyer”
Basha e cilësoi çështjen e të përndjekurve politikë si një padrejtësi historike që nuk mund të zvarritet më. Ai prezantoi një plan për të përmbushur premtimet e pambajtura gjatë 34 viteve të fundit:
• Status i veçantë ekonomik për të përndjekurit politikë, i barazuar me atë të ish-ushtarakëve
• Miratimi i Ligjit të Lustracionit, për të garantuar pastërtinë e figurës në funksionet publike
• Dëmshpërblimi i plotë brenda mandatit të parë, pa vonesa apo justifikime
• Subvencione për shërbimet shëndetësore për të përndjekurit politikë dhe familjarët e tyre
• Kthimi i pronave të konfiskuara ose kompensimi i tyre me vlerën e tregut
• Krijimi i Muzeut Kombëtar të Kujtesës, për të dokumentuar dhe kujtuar krimet e diktaturës
Në përmbyllje, Basha deklaroi se këto reforma nuk janë vetëm ekonomike dhe sociale, por edhe thelbësore për forcimin e demokracisë. Ai argumentoi se pa një shtresë të mesme të fortë dhe pa garantimin e pronësisë, Shqipëria nuk mund të bëhet një demokraci e qëndrueshme dhe as të integrohet plotësisht në Europë.