Na vjen keq PD-ja kur e shohim kundër Drejtësisë! Mban Ramën në pushtet

spot_img

nga Sebastian Zonja

Një ditë, SPAK-u do marrë edhe Edi Ramën me vete. Deri atë ditë, Edi Rama do jetë aleati i SPAK-ut, ndërsa Partia Demokratike, për çudi, kundërshtare. Po pyesja veten se pse nuk ka protesta masive në Shqipëri, si në Greqi apo në Serbi?!
Tani për tani, gjithë urrjejten ndaj zhvatjes që na ka bërë politika e kemi kanalizuar te SPAK-u. Korrupsioni sistemik i regjimit në Serbi dhe tentativa për të fshehur ngjarjen në Greqi sollën revoltë të madhe qytetare. Edhe pas revoltës, sërish, nuk ka ndryshime në qeverisje. Kjo tregon se në Ballkan, ndryshe nga Evropa, protesta nuk është veç numra, por edhe dhunë. Sa më e dhunshme dhe masive, aq më shumë trembet pushteti.
Protesta paqësore e studentëve tek ne solli dorëheqje ministrash që u vunë prapë nëpër lista sivjet.

Ku ishim? Askund. Ku vajtëm? Askund.

Të vjen keq kur sheh sa investim ka aktualisht nga Partia Demokratike kundër Drejtësisë! Thua se e ka fajin prokuroria pse ka vjedhur dhe është korruptuar Sali Berisha, Ilir Beqja apo Erion Veliaj?! Secili ka pushkatarët e vetë kundër prokurorisë. Opozitarizëm i strukturuar sipas problemeve personale dhe familjare të kandidatëve, jo sipas premtimeve dhe shpresës për një jetë më dinjitoze.

Nëse opozita do mbështetej te organi i akuzës për të zhbërë sistemin e korruptuar, vetë formacioni opozitar do ishte ndryshe. Por kuptojmë se opozita dhe pushteti janë një, si në Serbi, sepse vuajnë si ta kapin shtetin, jo si ta institucionalizojnë.

Me logjikën e kapjes, jo të institucionalizimit, Edi Rama nuk trembet fare nga SPAK-u për sa kohë ka Saliun dhe taborin e tij kundërshtar. PD-ja shkon e sigurtë drejt opozitës për të kënaqur simpatizantët me Bashkinë e Tiranës. Edi Rama shkon i sigurtë drejt mandatit të katërt me gjithë damkën e hajdutit me çizme.

Latest articles

Related articles