Dashnor Kokonozi, shkrimtar
Më qëlloi të vij në Tiranë në një ditë fatale!
Ngado t’i ktheje kanalet e televizorit tim të vjetër bardhë e zi, nuk kishte asnjë mundësi tjetër zgjedhjeje : ose do të bije në imzhin e z. Rama ose në atë të z. Berisha. Ta dy në shprehjen më të lartë të pasionit e të propagandës elektorale.
I pari kishte vënë të parakalonin një numër të rinjsh të cilëve u tregonte një pasaportë shqiptare dhe premtonte se me mandatin tij të ri ajo do shndërrohej në evropiane dhe nga ai çast shqiptarët nuk do të rrinin më në një radhë të veçantë nëpër aeroporte, por do të zhvendoseshin tre metra më tutje. Dhe i dyti, z. Berisha kujdesej t’i kujtonte auditorit të tij se Z. Rama ishte i biri i Kristaq Ramës. Dhe ishte tamam kjo që dëgjova për herë të fundit prej tij, këtu e thuajse 30 vjet kur u largova nga Shqipëria.
Personalisht mendoj, dhe këtë e them pa më të voglën ironi, se të dy janë burra me mend. Janë njerëz që futja në politikë u ka kushtuar shumë janë poshtruar siç dinë të poshtrojnë shqiptarët, janë sharë e fyer në mënyrën më barbare dhe të pamerituar e megjithatë u treguan të fortë dhe qëndruan mbi ujë.
Sot dominojnë jetën tonë politike! Tërthorazi edhe jetën tonë.
Atëherë përse i trajtojnë shqiptarët si një tufë idiotësh?
Ankthi im më i madh eshte se përvoja në politikë u ka mësuar atyre diçka që ne nuk e dimë ende, se ata kanë arsye të forta e të fshahta ta reduktojnë diskursin politik vetëm me të tilla mesazh që synojnë trurin tonë primitiv!
Pra, mos vallë kanë kuptuar se ne jemi vërtet të tillë?
