SPAK ka nisur hetimet lidhur me takimet që ka zhvilluar kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, në paraburgimin e Durrësit. Burimet thonë se hetuesit e BKH-së kanë sekuestruar kamerat e burgut dhe do të shqyrtojnë hyrje-daljet, si dhe është kryer kontrolli i librave të institucionit ku regjistrohen takimet me të paraburgosurit.
SPAK pretendon se Veliaj orkestroi nga burgu sulme ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të çështjes së tij, prandaj do të identifikojë dhe marrë në pyetje të gjithë personat që e kanë takuar. Gjithashtu, do të verifikohet nëse ai është favorizuar ndryshe nga të paraburgosurit e tjerë, duke iu lejuar më shumë takime me familjen dhe persona të tjerë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës po hetohet nga Prokuroria e Posaçme për veprat penale të korrupsionit dhe pastrimit të parave.