Tuneli i Murrizit u hap sot për qarkullimin e mjeteve pas një pune sfiduese që në nisje të tij për shkak të gjeologjisë problematike të zonës nëpër të cilën kalon.
I shumëpritur për të gjithë banorët e Dibrës, dhe jo vetëm, Tuneli i Murrizit i cilësuar edhe si shtylla kurrizore e rrugës së Arbrit, përbëhet nga dy tunele, nga tuneli kryesor me një gjatësi prej 3789 dhe tuneli i emergjencës me gjatësi 3781m, i përbërë nga 11 hyrje dhe dalje.
Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe nga ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja morën pjesë në inaugurimin e këtij tuneli të cilin fillimisht e përshkuan një pjesë në këmbë, dhe më pas e vijuan rrugën me autobuz duke parë ndërkohë edhe punën e realizuar, si dhe masat e ndërmarra në mënyrë që tuneli të funksionojë në siguri të plotë.
Ministrja Balluku tha se janë kryer të testimet për rrugën dhe tuneli është përfunduar plotësisht sipas të gjitha parametrave.
Ajo e cilësoi këtë investim krenari të infrastrukturës shqiptare, teksa njoftoi se në prill përfundon dhe rruga Maqellarë Peshkopi.
Balluku bëri të ditur se, “Tuneli i Murrizit 3.8 km i gjatë është plotësisht i përfunduar në të gjithë komponentët e tij. Nga ana ndërtimore, elektromekanike dhe gjithçka është funksionale. Janë bërë testet mbrëmë deri natën vonë, nga ana tjetër edhe trupa e policisë rrugore e ka marrë detyrën për monitorimin e rrugës”.
Në krahun e djathtë, tha Balluku, ndodhet tuneli i emergjencës.
“Sipas Kodit Rrugor, çdo tunel mbi 500 metra ka nevojë të ketë tunel emergjence. Tuneli i emergjencës këtu ka 11 dalje dhe gjithçka është sipas parametrave. Nuk parashikohet të ketë më ndërprerje të trafikut në këtë aks, pasi e kemi mbajtur deri në fund të mbyllur këtë pjesë, për të punuar në çdo detaj, nisur nga gjeologjia e vështirë dhe projekti dhe gjithçka është e përfunduar më së miri”, u shpreh ministrja.
Ajo informoi se, ky tunel është i blinduar në hekur pasi përndryshe nuk do të qëndronte.
“Është një vepër arti, duke qenë se tuneli është i gjithi i blinduar në hekur, përndryshe nuk do të qëndronte. Ne në këto momente nuk po kalojmë në një tunel të gërmuar siç është rasti i Llogarasë, por po kalojmë në një tunel, i cili është i blinduar i gjithi në hekur si një unazë hekuri” , shpjegoi zv/Kryeministrja Balluku.
Ajo tha se ndërkohë edhe pjesët e tjera të Rrugës së Arbrit janë të përfunduara, ashtu sikurse dhe skarpata e Shkallës së Tujanit, është plotësisht e përfunduar.
“Gjatë rrugës që keni ardhur sot keni parë dhe pjesën e skarpateve të shkalles së Tujanit plotësisht të përfunduar. Ne i kemi shtuar një pjesë tjetër vitin e kaluar rrugës së Arbrit, duke i vendosur dhe një segment të ri që është segmenti nga Maqellara në Peshkopi. Unë e kam inspektuar dje kështu që në muajin prill ne do kemi mundësi që ta dorëzojmë.”
Ndërsa Kryeministri Rama vlerësoi punën e jashtëzakonshme dhe inkurajoi që të gjenden zgjidhjet infrastrukturore edhe për çdo pjesë tjetër të rrugës, në mënyrë që të jetë sa më funksionale dhe lehtësisht e aksesueshme.
Duke folur për disa specifika të rrugëve hyrëse, Zëvendëskryeministrja Balluku tha se “po bëjmë një studim të ri. Duke qenë se kemi krijuar Unazën e Madhe të Tiranës tani, të gjitha hyrjet duhen riparë”.
“Dhe hyrja e Kamzës nuk plotëson më kushtet për të qenë hyrje e kryeqytetit sepse lidhet në autostradën Tiranë – Durrës dhe nuk lidhet më në Unazë siç duhet të lidhet. Kështu që jemi duke bërë projektin dhe nga Kamza, pra në hyrje të Tiranës për të dalë direkt në lotin e parë që e quajmë ne të Unazës së Re të Madhe. Dhe kështu mund të shikojmë dhe dizajnojmë dhe pjesën e Tufinës për ta lidhur direkt në Unazë të Madhe. Ti shkon direkt te vetërrotullimi dhe pastaj vjen nga Rruga e Arbrit futesh në Unazë të Madhe për t’u shpërndarë nëpër Tiranë apo për të vazhduar në autostradat e tjera se mund të vijnë nga Rruga e Arbrit dhe të duan të ikin në Elbasan”, deklaroi ministrja Balluku.
Tuneli i Murrizit e bën të aksesueshme edhe të gjithë rrugën e Arbrit, një nga rrugët kombëtare më të rëndësishme, e cila do të shënojë rritje ekonomike të zonës dhe të sektorit turistik.
Rruga e Arbrit, një nga arteriet më të rëndësishme të infrastrukturës rrugore në Shqipëri, përfundimi i së cilës sjell një lehtësim të madh në lidhjen mes Tiranës dhe Dibrës. Ky projekt madhor ka përfshirë ndërtimin e 54 kilometra rrugë me 10 kilometra tunele dhe 1.4 kilometra ura.
Rruga e Arbrit, e cila i kushtoi buxhetit të shtetit 33.6 miliardë lekë, do të bëhet një korridor lidhës i rëndësishëm Lindje-Perëndim. Rruga e Arbrit ka 7 tunele me gjatësi totale 8.5 km.
Rruga e Arbrit jo vetëm do të afrojë qytetarët e Tiranës e gjithë Shqipërisë me Dibrën dhe Maqedoninë e Veriut, por do jetë një arterie e zhvillimit ekonomik dhe të turizmit.