Colleen Hyland, Drejtoresha për Çështjet e Evropës Jugore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit të SHBA, do të emërohet Zëvendës Ndihmës Sekretare Shtetit për Ballkanin Perëndimor.
Sipas Al Jazzera, Collen Hyland është një diplomate me përvojë të gjatë, e cila ka shërbyer në disa nga misionet më të rëndësishme diplomatike të SHBA-së në botë.
Ajo ka qenë pjesë e stafit diplomatik amerikan në Bagdad, Kabul dhe Prishtinë, ku ka mbajtur pozitën e zëvendësambasadores së SHBA-së në Kosovë nga viti 2016 deri në 2019. Përvoja e saj në rajon dhe njohja e dinamikave politike në Kosovë dhe më gjerë pritet të jenë faktorë kyç në qasjen e SHBA-së ndaj Ballkanit Perëndimor.
Ky ndryshim në Departamentin e Shtetit vjen në një periudhë sfidash të mëdha për Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në raport me tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe përpjekjet për reforma demokratike dhe luftën kundër korrupsionit në vendet e rajonit. Me përvojën e saj dhe njohjen e situatës në terren, Colleen Hyland mund të luajë një rol të rëndësishëm në orientimin e politikës amerikane ndaj Ballkanit në muajt dhe vitet e ardhshme.