Shkrimtari dhe kandidati për deputet i Koalicionit Euroatlantik në qarkun e Tiranës, Rudi Erebara, gjatë një interviste për emisionin “Ekspres” në RTSH, shprehu shqetësimin për zgjatjen e tranzicionit politik në Shqipëri. Ai theksoi se të njëjtët individë kanë dominuar skenën politike për 35 vjet, duke ndikuar negativisht në jetën e qytetarëve dhe duke shkaktuar largimin masiv të popullsisë. Erebara theksoi rëndësinë e mbështetjes së sistemit të drejtësisë dhe forcimit të institucioneve për të siguruar një të ardhme më të mirë për vendin.
Rudi Erebara ka lindur në vitin 1971. Ai është poet, shkrimtar dhe përkthyes. Pasi u diplomua në Akademinë e Arteve të Bukura të Tiranës në vitin 1995, ai filloi karrierën si analist politik, gazetar dhe redaktor. Erebara është autor i dy përmbledhjeve poetike: “Fillon Pamja” (1994) dhe “Lëng Argjendi” (2013). Gjithashtu, ai ka shkruar dy romane: “Vezët e thëllëzave” (2010) dhe “Epika e yjeve të mëngjesit” (2016), për të cilin u nderua me Çmimin e Bashkimit Evropian për Letërsinë në vitin 2017.
Pjesë nga intervista e Erebarës:
“Motivimi është që ne duhet të dalim nga gjendja të cilën ne e quajm e tejzgjatur, gjendje e tejzgjatur e tranzicionit. Ky është post-komunizëm në kuptimin fizik. 20 vite më parë vajza ime nuk kishte lindur. Ka votuar dy herë, u bë 20 vjeç në universitet. Janë ekzaktësisht të njëjtit njerëz të cilët erdhën në qytetin studenti kur unë isha fiks në moshën e gocës time. Unë po them 35 vite përpara, ekzaktësisht të njëjtit njerëz që udhëheqin politikën. Dhe çfarë i kanë bërë politikës? I kanë futur shqiptarëve kaq shumë urrejtje për njëri-tjetrin sa nuk llogjikojnë më. Është bërë politika edhe nëpër televizione, edhe nëpër media, diskutohet si punë sporti. Dhe përgjegjësia është sikur dy ekipe po ndeshen aty dhe kush fito punë e madhe, punë goli është. Kurse këtu bëhet fjalë për jetët tona. Nga Shqipëria kanë ikur 2 milionë njerëz krah pune. Vazhdojnë të ikin 530 mijë me statistikë ta quajmë të saktë, vetëm 12 vitet e fundit. Dhe janë gati të ikin, kam ikur unë nja 6 herë kam pasur përpjekje për të ikur. Dhe vazhdon të jetë një gjendje e tmerrshme jo prodhuese si në kuptimin mendor, si në kuptimin fizik. Çfarë propozojmë ne? Në fillim fare duhet të kthehemi aty tek drejtësia. Një është mbështetja e drejtësisë, domethënë të mbajmë policin që po kap hajdutin” – tha Erebara.