Nga Siklajda Shorja
Gazetari, Lavdrim Lita në një intervistë në Ora News u shpreh se zgjedhjet e 11 majit janë një test maturie për partitë politike dhe institucionet e prokurorisë dhe gjykatave.
Lita: Zgjedhjet e 11 majit janë një test maturie për institucionet politike, mazhorancën dhe sigurisht për partitë politike dhe institucionet e prokurorisë dhe gjykatave.
Pra ky test maturie duhet të kalohet dhe institucionet përgatiten për të bërë më të mirën sipas kompetencave që kanë.
Parandalimi i krimeve zgjedhore dhe ndjekja e krimeve zgjedhore është kompetencë e SPAK-ut dhe e prokurorive të institucionit të përgjithshëm pra Prokurorisë së Përgjithshme dhe policisë së shtetit aty ku shikohet që ka raste flagrante për të bërë të mundur parandalimin apo kapjen e këtyre autorëve.
Sigurisht kjo ka trazuar pak politikën, ka trazuar partitë politike të cilët nuk janë mësuar të jenë të vëzhguara apo të jenë të monitoruara në veprimtarinë e tyre.
Në 30 vite kanë qenë gjithmonë me çanta, me përdorimin e makinave shtetërore, infrastrukturës shtetërore pa transparencë financiare.
Kanë bërë gjithçka që kanë mundur përmes edhe lidhjeve me individë apo subjekte të papërshtatshme për të grumbulluar vota e për të arritur fitoren në ato të quajtura zgjedhje.