Spiralja e largimit të mjekëve, 40% duan të emigrojnë| Çfarë po i shtyn bluzat e bardha të ikin jashtë! Pasojat në ekonominë e vendit

spot_img

Emigrimi i mjekëve ka hyrë në një spirale të rrezikshme, ku vendet e zhvilluara lehtësojnë kushtet e transferimit, ndërkohë që Shqipëria nuk po mundet të rrisë financimet, të përmirësojë ambientet e punës dhe mundësitë për karrierë të mjekëve të rinj. Një studim i fundit nga ekspertët Ilir Gëdeshi dhe Russell King, në një anketë që përfshiu 729 mjekë, zbuloi se gjysma e tyre në moshën 24-40 vjeç dëshirojnë të largohen, ndërsa në të gjitha moshat, 4 në 10 mjekë kanë plan të emigrojnë nga vendi. Trendi i largimit të mjekëve po rritet, ndërkohë që nevojat për shërbimet shëndetësore në vend po shtohen, prej një popullsie që po plaket shpejt.

Potenciali natyror i Shqipërisë, me gjeografi të pasur dhe klimë të mrekullueshme mesdhetare, i kombinuar me rritje ekonomike mbi mesataren e dekadës, duket se është i pamjaftueshëm për të frenuar rrjedhën e emigracionit në vend, në të gjitha nivelet, përfshirë edhe mjekët.

Plakja e popullsisë në Europë vit pas viti po shton presionin për rritje të kërkesës për fuqi punëtore në fushën e mjekësisë dhe nga ana tjetër, financimet e ulëta për shëndetësinë në vendin tonë po bëhen shkak për të mbajtur në nivele të larta emigrimin e mjekëve në periudhën në vijim.

Një studim i Qendrës për Studime Ekonomike dhe Sociale, i udhëhequr nga profesorët Ilir Gëdeshi dhe Russell King, zbuloi se më shumë se gjysma e mjekëve të moshës 24-40 vjeç dëshirojnë të largohen, ndërsa në të gjitha moshat, 4 në 10 mjekë kanë plan të largohen nga vendi.

Largimi i mjekëve do të krijojë pasoja të shumëfishta, nga humbja e investimeve publike në kapitalin njerëzor deri te mangësitë në shërbimet shëndetësore në një popullsi që po plaket dhe do të rrisë nevojën për më shumë shërbime shëndetësore.

Studimi, i shoqëruar me anketa dhe intervista që vazhduan për disa vite deri në 2024, zbuloi se trendi i largimit të mjekëve do të rritet në vitet në vijim, si pasojë e dëshirës së lartë për emigrim në moshat e reja të trupës mjekësore.

Ekspertët pohojnë se stoku i mjekëve shqiptarë në botë deri më tani ka arritur në rreth 2500, ku gati gjysma janë larguar gjatë dekadës së fundit, ndërkohë që parashikohet që të largohen së paku edhe 930 mjekë në vitet në vijim.

Nga intervistat me 729 mjekë, arsyet kryesore për të emigruar janë pagat e ulëta në Shqipëri, kushtet e këqija të punës dhe mungesa e perspektivës për karrierë në Shqipëri, mundësitë për specializim dhe trajnim të mëtejshëm jashtë vendit dhe ndjenja e përgjithshme se në të gjitha aspektet e jetës “nuk ka të ardhme në Shqipëri”.

Për sa i përket destinacionit të dëshiruar, vendet kryesore, sipas preferencës, janë Gjermania, SHBA, Britania e Madhe dhe Italia.

40% e mjekëve dëshirojnë të largohen

Të dhënat e sondazhit me 729 mjekë tregojnë se rreth 40% e tyre duan të emigrojnë. Rreth 53% e mjekëve të moshës 24–40 vjeç synojnë të emigrojnë. Pas moshës 40 vjeç, dëshira për t’u larguar ulet.

Autorët pohojnë se këto rezultate, krahasuar me të dhënat e sondazhit të vitit 2018, tregojnë një nivel më të lartë gatishmërie për të larguar nga vendi.

Të dhënat për migrimin potencial janë pjesërisht tregues të tendencave aktuale të migracionit në të ardhmen, pasi jo gjithnjë ata që dëshirojnë të largohen emigrojnë. Dëshira për të migruar pasqyron në mënyrë realiste “pakënaqësinë” nga kushtet e përgjithshme të jetës në vendin tonë.

Për të kaluar nga migrimi i synuar në lëvizje reale, duhet të plotësohen disa kushte, duke përfshirë përgatitjen reale për të migruar dhe aftësinë për të transformuar dëshirën në realitet.

Në rastin e mjekëve, këto parakushte përfshijnë informacionin e duhur për vendin e destinacionit, mundësitë profesionale, posedimin e dokumenteve të nevojshme (vizë, leje pune, diploma mjekësore të njohura në vendin e destinacionit etj.), njohjen e gjuhës dhe afate të qarta për emigracionin. Pa këto parakushte, është sfiduese për mjekët të realizojnë qëllimin për të emigruar.

Arsyet pse largohen, kushtet mbizotërojnë mbi pagën

Te mjekët që synojnë të largohen mbizotërojnë dy grupe të arsyeve ekonomike dhe arsimore. Të ardhurat dhe kushtet e punës janë dy shtytësit kryesorë ekonomikë të emigrimit të mjekëve, megjithëse këta dy faktorë vlerësohen më shumë për emigrimin e synuar sesa për emigracionin real.

Në intervistat me mjekët në Shqipëri, arsyet e largimit më shumë se me pagat e ulëta lidheshin me kushtet sfiduese të punës në spitale, klinika dhe qendra shëndetësore. Aspektet tipike të përmendura ishin mungesa e pajisjeve dhe barnave, orët e gjata të punës, siguria e dobët në vendin e punës dhe standardet e ulëta të etikës dhe profesionalizmit.

Dy citate më poshtë, i pari nga Edmondi, një mjek me përvojë në një spital të madh të qytetit dhe i dyti nga Ermira, një mjeke e re që sapo ka nisur karrierën e saj, ilustrojnë disa nga këto ankesa për praktikat e punës.

“Mungojnë kushtet e punës. Nuk mund të lëshoj diagnozën e duhur dhe të ndihmoj pacientin. Ka mungesë të barnave, laboratorët janë në gjendje të keqe, spitalet janë të rënduara dhe nuk ka pajisje apo instrumente për ekzaminimin e pacientëve”.

“Kam bërë një stazh në urgjencën e spitalit. Ndonjëherë mjekimet nuk ishin të disponueshme, protokollet nuk respektoheshin dhe ka shumë pak mjekë. Mjekët që punonin atje u përpoqën të bënin punën, por nuk mjaftonin pajisjet që kishin në dispozicion.

Nuk duhej të ishte kështu; mjekësia praktikohet me rregulla dhe protokolle”.

Mungesa e sigurisë në spitale dhe qendra mjekësore ishte një tjetër aspekt i kushteve të vështira të punës që u ngritën nga disa të intervistuar.

Eltoni, një mjek i ri, tregoi se si kolegët e tij në spitalin ku ai punonte ishin sulmuar nga pacientët dhe familjarët e tyre, duke arritur në përfundimin se “elementi i sigurisë në spitale nuk është aq i mirë dhe ju duhet ta përballoni vetë këtë realitet”. Endri, një mjek më i vjetër dhe më me përvojë, e ka zgjeruar këtë problem në rrëfimin e tij më të detajuar:

“Mjeku duhet të përballet vetë me sistemin gjyqësor, pavarësisht nëse akuza (për një gabim apo keqpërdorim) është e drejtë apo e padrejtë.

Mjeku është i braktisur, nuk ka sigurim për raste të tilla dhe rrezikon deri në dhjetë vjet burg. Mund të ndodhin gabime; të gabosh është vetëm njerëzore, media dhe shteti sulmojnë edhe doktorin”.

Tregu i punës për profesionistët mjekësorë vlerësohet i ngurtë, burokratik dhe i korruptuar, me klientelizëm dhe favorizim në vend të meritokracisë në procedurat e punësimit dhe promovimit.

Sidomos nga mjekët më të rinj, sektori i shëndetësisë shihet si një “dyqan i mbyllur” i monopolizuar nga një grusht mjekësh të shquar elitarë apo “të famshëm” që kontrollojnë punësimin e mjekëve të rinj dhe fitojnë shumë duke drejtuar klinika private.

“Ndihet lehtësisht ngurtësia në sistem. I njëjti mjek punon në një spital publik dhe ka një klinikë private dhe gjithashtu është pedagog në Universitetin e Mjekësisë. Sistemi nuk ofron mundësi të barabarta për mjekët e rinj që të avancojnë në karrierën e tyre bazuar në meritë, ndrydh iniciativat e reja dhe i shtyn mjekët të emigrojnë.

Gjatë gjithë kohës e sheh sa i pafuqishëm je nëse nuk njeh dikë të rëndësishëm”, thotë Afërdita, një mjeke e re.

Një pjesë e vogël (më pak se 5%) e të anketuarve ishin të papunë dhe ky nëngrup kishte pothuajse dy herë më shumë gjasa të shprehte synimin për të migruar në krahasim me kampionin e përgjithshëm.

“U diplomova në vitin 2009 dhe më pas bëra specializimin për onkologji. Por aktualisht jam e papunë, sepse klinika private ku punoja u mbyll. Që nga specializimi im, kam bredhur nga një klinikë në tjetrën.

Pothuajse nuk kam punuar në fushën time specifike, kështu që nuk ndihem e plotësuar. Në këto rrethana, po mendoj të emigroj sepse jam pa punë dhe nuk mund të gjej një punë në fushën time të specializimit”, tha Shpresa.

Autorët pohuan se në sondazhin online, pagat e ulëta u theksuan si faktorë i rëndësishëm nxitës i dëshirës për të emigruar. Në intervista, pjesëmarrësit prireshin të minimizonin rëndësinë e të ardhurave dhe t’u jepnin përparësi kushteve të punës.

Të intervistuarit më të rinj theksonin shpesh se mjekët e njohur në Shqipëri i “shfrytëzojnë” në klinika private. Duke parë të ardhurat mujore në euro për grupmoshën 24-40 vjeç, modeli është shumë i qartë.

Tek mjekët me paga mujore më pak se 600 euro, synimet për të emigruar ishin në 76.7% të tyre. Tek ata me paga nga 601–900 euro në muaj, dëshira për t’u larguar ishte 58,4%.

Tek ata me paga 901–1200 euro në muaj, dëshira për emigrim ishte 47,1%. Te mjekët me paga 1,201–1,500 euro, dëshira ishte 45.8% dhe mbi 2001 euro në muaj, është 36.0%.

Ku duan të ikin

Gjermania është vendi më i preferuar për mjekët shqiptarë me epërsi të konsiderueshme 19%, ndaj zgjedhjes së dytë, Shteteve të Bashkuara. Preferenca për Gjermaninë lidhet me disa avantazhe që ofron ky vend për mjekët shqiptarë.

Së pari, dhe më kryesorja, është “Rregullorja e Ballkanit Perëndimor” e qeverisë gjermane e vitit 2016, e cila lejon akses të veçantë për mjekët nga ky rajon, duke përfshirë masën lehtësuese të njohjes së diplomave.

Kësaj i shtohen pagat dhe standardi i lartë i jetesës në Gjermani, meritokracia e emërimeve në punë dhe përparimi në karrierë, kushtet e mira të punës dhe mbështetja e fortë e mirëqenies sociale për familjet.

Brunilda është diplomuar së fundmi në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Tiranës dhe është në proces zhvendosjeje në Gjermani. Në këtë ekstrakt nga intervista e saj, ajo përshkruan përparësitë e Gjermanisë në krahasim me disa vende të tjera:

“Ne ishim 22 studentë në grupin tonë të diplomimit dhe 17 prej tyre donin të emigronin, kryesisht në Gjermani, por edhe në Itali dhe Suedi. Gjermania është opsioni i preferuar për shkak të procedurave më të thjeshta për të arritur atje.

Prania në Tiranë e qendrave që ofrojnë informacion për Gjermaninë e bën më të lehtë të gjithë procesin. Italia zgjidhet për shkak të afërsisë me Shqipërinë, por pagat nuk janë aq të larta. Ndërkohë, Suedia ka nevojë për mjekë: pagat atje janë shumë të larta, por ende nuk shihet si një mundësi për mjekët e rinj dhe gjuha është problem.

Mjekët më të rinj priren për të lëvizur në Gjermani krahasuar me grupin më të vjetër me një diferencë prej 16 pikë përqindjeje.

Të dhënat e sondazhit tregojnë se, krahasuar sërish me grupin e moshuar, mjekët më të rinj kanë një preferencë më të madhe për vendet e Europës Perëndimore shumë të zhvilluara, me të ardhura të larta si Gjermania, Austria, Zvicra dhe Suedia.

Mjekët më të vjetër, nga ana tjetër, janë disi më të orientuar drejt vendeve anglofone (SHBA, Mbretëri e Bashkuar, Kanada) dhe Italisë dhe drejt destinacioneve të përcaktuara gjerësisht si BE-ja ose thjesht “jashtë”.

Interesi në rritje për Gjermaninë mes mjekëve më të rinj dhe më ambiciozë ka të ngjarë të rritet në të ardhmen, një prirje e nxitur nga dëshira e fortë e të rinjve shqiptarë për të mësuar gjermanisht dhe krijimi i një rrjeti që po çon në një lloj migrimi zinxhir të specializuar në këtë vend, i cili ende ka mungesë të personelit mjekësor.

Largimi i mjekëve, mbi 4 milionë euro humbje në vit

Gjithashtu largimi i mjekëve është një kosto financiare e lartë për vendin, pasi mjekët shkollohen me fonde publike dhe më pas ata shërbejnë në vendet të tjera duke fshirë pothuajse të gjitha investimet e shoqërisë ndaj tyre

Fondacioni Westminster për Demokraci vlerësoi se në vitin 2018, emigracioni i një individi që ka përfunduar arsimin e mesëm në Shqipëri ishte 9,267 euro dhe, për dikë me diplomë universitare, 18,283 euro.

Një diplomë mjekësore gjashtëvjeçare përfaqëson një investim financiar shumë më të madh dhe rrjedhimisht humbje në rastin e emigrimit. Sipas Universitetit të Mjekësisë në Tiranë, kostoja vjetore e trajnimit të një studenti është 6700 euro, ose rreth 40,000 euro për kursin e plotë të studimit.

Si rrjedhojë, Shqipëria humbet çdo vit së paku 4 milionë euro dhe gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, humbjet kapin vlerën e 45 milionë eurove.

Reformat që mungojnë

Shqipëria është një vend i vogël me popullsi në rënie, nga 3.2 milionë në 1989 në 2.4 milionë në 2023, por ikja e mjekëve ka një rezonancë më të gjerë europiane dhe globale.

Të dhënat krahasuese të mbledhura në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, veçanërisht Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, tregojnë gjithashtu largim të mjekëve, por jo me ritmin e Shqipërisë.

Për Shqipërinë, stoku i mjekëve që tashmë kanë emigruar sipas ekspertëve Gëdeshi dhe King ishte 2,500 më 2023 dhe i shoqëruar me norma të larta të synimeve për largim të atyre që ende jetojnë në Shqipëri, veçanërisht mjekëve më të rinj (52.9% deklarojnë se synojnë të largohen).

Qeveria shqiptare nuk ka qenë në gjendje të ndërhyjë në mënyrë efektive për të frenuar fluksin e mjekëve.

Vetëm në vitin 2023 u diskutua një projektligj që do t’u kërkonte mjekëve të diplomuar të qëndronin në Shqipëri për pesë vjet pas përfundimit të trajnimit.

Gjykata Kushtetuese pezulloi projektligjin, i cili më pas u riformulua nga Parlamenti, duke reduktuar kohëzgjatjen e nevojshme të qëndrimit në tre vjet për studentët e vitit të parë dhe të dytë të mjekësisë dhe më pak për vitet e tjera. Ky ligj i ri u miratua më 19 shtator 2024. Kuotat në Universitetin e Mjekësisë u rritën ndjeshëm.

Ndërkohë, i gjithë sektori shëndetësor ka nevojë për reforma. Duhen më shumë investime, një sistem punësimi i bazuar në meritë. Kjo reformë kërkon të sfidohet elita e mjekëve aktualë që shpesh kanë krijuar lidhje të forta me politikën.

Ndërsa popullsia e përgjithshme është në rënie të qëndrueshme afatgjatë, në të njëjtën kohë ajo po plaket me shpejtësi. Popullsia mbi 65 vjeç u trefishua midis 2001 (7.5%) dhe 2023 (19.7%).

Një popullsi në plakje shton kërkesën për shërbime shëndetësore.

Rezultatet e studimit tregojnë se Shqipëria veç të tjerash po mban kostot globale të plakjes së popullsisë, mungesat kronike të mjekëve dhe aftësinë e vendeve të pasura ekonomikisht, të cilat nxisin emigrimin e mjekëve nga vende të varfra si Shqipëria. /Monitor

Latest articles

Related articles