Po pas Edi Ramës kush është?! – ANALIZA

spot_img

Denis Dyrnjaja

Një panoramë ngjarjesh diverse po ndodhin në aktualitetin poktik, ndikuar kryesisht nga veprimi i drejtësisë. Disa personazhe të politikës mund të dalin prej saj, të rinj mund të futen apo shfaqen. Partitë nuk janë më si më parë, në tërësi. Madje dhe ideja e një zhvillimi demokratik brenda tyre thuajse është zeruar dhe pse më parë ka qenë thuajse një formalitet e ka mbetur i tillë edhe për ato forca politike, që pretendojnë ende se kanë demokraci të brendshme.

Në të gjitha partitë si ato tradicionale e kryesore, si ato rishtare, nuk ka jetë të brendshme politike, në kuptimin e garës, zgjedhjeve reale të strukturave drejtuese apo kryetarëve, alternativës ndryshe, rrymave dhe mendimeve që e mbajnë të gjallë jetën e brendshme të një force politike.
Pra që krijojnë kushtet për përtëritje të saj në kohë me konkurrencë përmes vlerave të më mirëve si grup apo individë.

PD si parti e parë që i atribuohet ndryshimi i sistemit politik në Shqipëri dhe futja e pluralizmit pas sistemit diktatorial nuk arriti kurrë të ngrihet në nivelet e misionit të saj, për të cilin u krijua dhe vlerat për të cilat u promovua. Partia Demokratike nuk u bë kurrë demokratike sikurse ëndërruan qindra mijëra shqiptarë që besuan në ditët e muajt e parë të dhjetorit ’90 se ajo do të ishte modeli i partisë së vlerave të lirisë dhe demokracisë.

PD iu nënshtrua modelit të autokracisë, dhunës verbale dhe mendësisë brutale të shtypjes autoritare të njëshit, me gjithë përpjekjet e një grupi njerëzish brenda saj për t’i qëndruar modelit autoritar dhe autokratik që buronte nga e shkuara e afërt e diktaturës dhe modeli sundues i pushtetit nga udhëheqësi.

Edhe PS që ishte pasardhëse e PPSH, pavarësisht se tentoi të rinovonte veten dhe të ndryshonte tërësisht qasjen e saj duke u përshtatur me filozofinë e re të demokracisë si një e majtë moderne, pati vetëm një periudhë të përkohshme demokracie brenda saj e cila më shumë se për vlerat reale të doktrinës së demokracisë, ishte një garë për të kontrolluar interesat që buronin nga përfitimet materiale të pushtetit veçanërisht ato korruptive (kujtoni KPD e famshme, kur grupet brenda PS u përplasën duke i nxjerrë afera e horrllëqe pushteti njëri tjetrit deri në banalitete). Ndërsa në krahun e pretenduar si e djathtë sundimtar ishte Berisha në të majtë qëndronte Fatos Nano.

I pari kurrë nuk bëri zgjedhje të vërteta në parti dhe njerëzit në PD nuk patën mundësi kurrë të njohin, pranojnë dhe mbështesin pa komplekse dikë ndryshe nga Berisha, sepse ai do t’i asgjësonte politikisht me çdo metodë kundërshtarët realë që mendonte se i kërcënonin fronin, duke përdorur shantazhin, denigrimin intrigat e gjithfarë lloj manovrash për të ruajtur pushtetin dhe kontrollin absolut të partisë që pak nga pak e ktheu në pronësi personale, pra një lloj Shpk-je politike. Në PD ka patur votime, por kurrë një garë të vërtetë që të mos ishte e ndikuar nga Berisha, pra të themi se nuk ka patur kurrë zgjedhje të drejta dhe të pandikuara, orientuara apo kontrolluara.

Të gjithë kryetarët e PD të regjistruar në Gjykatë janë noterizuar me parë nga Berisha pastaj kanë kaluar në gjykatë për t’u zyrtarizuar si drejtues më tepër honorifikë sesa kryetarë realë të kësaj partie. Nga Eduard Selami, te Tritan Shehu e deri te Lulzim Basha, të gjithë ishin pëlqime të Berishës, pastaj të partisë që bënte formalisht zgjedhjen e tyre. Ndërsa në PS konteksti i garës ishte disi ndryshe në epokën e Fatos Nanos edhe për shkak të rrymave e personaliteteve që kishte vetë ajo si parti e cila kishte një shtrirje më të gjerë intelektuale. Ndaj atje lufta e brendshme politike deri në falimentimin politik të Nanos ka gjalluar.

Pastaj pas ardhjes së Ramës, demokracia edhe në PS u zhduk dalëngadalë. Gjithçka u vendos nën regjimin e Ramës përmes një skemë kontrolli të kujdesshme dhe të mirëmemduar, i cili me modelin e vet të ndryshëm nga teritali socialist i vizës anash të flokëve dhe pantallonave të hekurosura, zhubraviti çdo tendencë për të patur mendim ndryshe.

PS u kthye në origjinën e hershme, ku sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë pra Enver Hoxha dinte dhe kishte njohuri për rrjedhojë jepte mend për gjithçka. Edhe për urbanistikën, edhe për ekonominë, edhe për sigurinë edhe për poktikën e jashtme dhe për bujqësinë, energjinë e kështu me radhë në të gjithë sektorët, pra zë më zë sikurse ka qenë edhe shprehja legjendare e kohës. Edi Rama një kritik i ashpër i regjimit të Hoxhës me ose pa koshiencë filloi të vendoste hegjemoninë e tij në PS.

Me versionin modern dhe kontrovers të sjelljes, shprehjes dhe imazhit, ai theu shabllonet standarde të socialistëve dhe bëri që Pandeli Majko që është më i vogël se vetë ai në moshë, të dukej si një pensionist politik në raport me Ramën. Pra tani pushteti ishte i gjithi në këmbët e liderit dy metrosh, dhe të tjerët ishin nënshtruar si liliputë politikë.

Kush tentoi ta sfidojë për periudha të shkurtra kohe sot nuk është më në PS, ose është por ekziston si memec, ose si dikush që flet për veten e vet se askush se dëgjon. Në fakt në aparancë Rama i dëgjon të gjithë, por në fund ai vendos atë që ka paravendosur kryesisht, ndonjëherë me ndonjë korrigjim a moderim të lehtë, sa për t’i lënë të kuptojnë edhe të tjerët se i dëgjon a përfill.

Këtu nuk përfshihen intrigantët dhe intrigante, që gjejnë gjithnjë vend pranë udhëheqësit për t’i fituar atij simpatinë dhe natyrisht për t’i bërë ndonjë “kollare” pas shpine. Ata kanë ekzistuar dhe do ekzistojnë gjithnjë. Janë soj më vete që gjenden në çdo kohë dhe pranë çdo sundimtari në pushtet. Mund të quhen edhe morrat e pushtetit këta që në fakt janë dhe parazitët prej të cilëve pushteti një ditë rrënohet aq shumë sa rrëzohet.

E si këta rreth Ramës ka plot edhe pse ai mendon se i ka mentorë të zot. Ata/ato thjeshtë përdorim fuqinë e tij për buhavitjen e tyre personale financiare. Por kjo e këto për të gjithë në PS nuk kanë pikë rëndësie, për sa kohë janë në pushtet dhe këtë pushtet e prodhon mënyrë sesi Rama ka shtrënguar edhe partinë pas pëllëmbës se vet të madhe të dorës së fortë edhe qeverinë.

Ndërkohë që nuk ka rëndësi as të flitet më për liri të brendshme mendimi e veprimi sa kohë ai është udhëheqësi fuqiplotë e i gjithëpushtetshëm prej të cilit PS mban prej 12 vjetësh pushtetin. Por disa pyetje lindin natyrshëm sepse dialektika dhe mosha biologjike asnjëherë nuk ndalin për askënd, sado i pushtetshëm qoftë ai.

Psh. po pas Ramës çfarë vjen?! Kush vjen?!

A do të ketë të ardhme PS si një nga dy forcat kryesore në vend kur aty nuk ka më asgjë përveç anëtarësisë dhe kryetarit fuqiplotë. Pra mbledhjet, takimet apo forumet me mendim politik i ka zëvendësuar gara për servilizëm dhe lëpirje politike. Rastet janë pa fund se të gjithë synojnë t’i bien në sy kryetarit dhe këtë e shfaqin dukshëm sallat e mëdha të eventeve politike të partisë ku lavdet romantike kanë arritur deri te petalet e luleve socialiste.

Duartrokitjet vazhdojnë gjatë sa dhe pushteti i Ramës pa mbarim. Ai thotë tani shpesh se qëndron aty në krye të qeverisë dhe partisë së ka një mision: Të fusë Shqipërinë në BE. Kjo është e dobishme në dukje dhe një kauzë e fortë sa dhe e rëndësishme politike.

Dhe këtë tani e dimë se po thuhet gjithnjë e më shpesh. Por ajo që nuk dihet është versioni i paparashikueshmërisë. Psh. po sikur ky mision madhor të ndërpritet për një arsye të pacaktuar, të paparashikuar ose edhe të parashikuar. Psh. qëllon që humbet zgjedhjet në mënyrë të papritur dhe të paimagjinuar, kjo prodhon shok politik dhe misioni dhe madhështia të nesërmen e disfatës bie. A do të vazhdojë njëjtë si Berisha dhe ai pastaj, sigurisht nëse do dojë do të vazhdojë se nuk ka kush ta konkurrojë apo sfidojë në parti?! Në PS të gjithë të gjallët kanë vdekur dhe askush nuk guxon të mendojë se mund të shfaqet përballë Ramës të paktën haptazi.

Ndoshta një surprizë e pakëndshme dhe e papritur e drejtësisë, mund të krijonte skenarë të rinj në PS. Një pamundësi shëndetësore gjithashtu, jemi njerëz dhe asgjë nuk është e sigurt. Pra ka plot hipoteza që ngrenë pyetjen po pas epokës së Ramës çfarë ka në PS, çfarë ndodh me këtë forcë politike, çfarë vjen dhe kush mund të jetë njeriu që do të vijojë të drejtojë një parti, që është modeluar tani sipas vizatimit politik të Ramës me laps prej plumbi por e mbushur me bojëra vaji. Sigurisht të gjitha këto pyetje sot ngjajnë si të parakohshme ose edhe si pavend.

Por atëherë kur së pret vjen ajo që se mendon. Dhe duke menduar adhurimin e gjerë që gëzon sot Edi Rama në pushtet, po mendoja po pas tij kë do adhurojnë këta mijëra socialistë që janë mësuar tani me një model që nuk është as normal, as i ngjashëm dhe as i përsëritshëm.

Enigmë e madhe duket për atë që pritet dhe pritje e palexueshme është ajo që do të ndodhë me Ramën dhe fatin e tij. Diçka ndoshta po luhet!

Latest articles

Related articles